Irani do sulmojë brenda 2 ditëve. SHBA në alarm, Izraeli: Do të kundërpërgjigjemi fort

Hakmarrja e paralajmëruar iraniane për vrasjen e pjesëtarëve të Gardës Revolucionare në Siri, po e mban rajonin dhe botën me frymën pezull. Izraeli, i cili fajësohet për sulmin ndaj Konsulltatës së Teheranit në Damask ku humbën jetën 13 persona, po përgatitet për kundërpërgjigjen iraniane, që siç thuhet pritet të vijë gjatë 24 deri në 48 orët e ardhshme.

Këtë gjë e pohojnë burime të cituara nga “Wall Street Journal”, sipas të cilëve do të goditet territori izraelit. Izraeli paralajmëron se një sulm i drejtpërdrejtë nga territori iranian do të ketë një përgjigje të fortë. Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë, u shpreh: “Jemi të përgatitur si nga ana e mbrojtjes, ashtu edhe e sulmit, në një larmishmëri kapacitetesh ushtarake. Një sulm nga territori iranian do të ishte një provë e fortë e qëllimeve të Teheranit për të përshkallëzuar situatën në Lindjen e Mesme”.

Mes frikës së sulmeve, Shtetet e Bashkuara kufizuan udhëtimet për stafin e ambasadës në Izrael, duke i paralajmëruar të mos lëvizin jashtë Jeruzalemit, Tel Avivit apo Beer Shevas. Kompania ajrore gjermane, Lufthansa ka zgjatur pezullimin e fluturimeve drejt Teheranit deri të shtunën.

Siç bëhet e ditur, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, foli me homologët në Turqi, Kinë dhe Arabinë Saudite për t’ia bërë të qartë se përshkallëzimi nuk është në interesin e askujt. Shefi i Pentagonit sakaq, siguroi ministrin e Mbrojtjes në Izrael, Joav Gallant, se do të kenë mbështetjen e plotë amerikane përballë kërcënimit iranian, duke përsëritur kështu zotimin e Presidentit Joe Biden një ditë më herët. Ende nuk ështe e qartë se cila do të jetë forma e raprezaljes iraniane, por sipas raportimeve në media, sulmi do të jetë i kufizuar teksa Teherani kërkon të shmangë një përplasje me SHBA.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com