Irani akuza ndaj SHBA dhe Britanisë: Dëshironi zgjerimin e luftës në Lindjen e Mesme

Irani përmes një deklarate zyrtare theksoi se dënon fuqishëm sulmet e reja të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar në Jemen.Sipas Iranit këto sulme bien në kundërshtim me retorikën e dy vendeve, të cilat pretendojnë se nuk duan një zgjerim të luftës në Lindjen e Mesme.

“Këto sulme janë një shkelje e përsëritur e sovranitetit dhe integritetit territorial të Jemenit dhe një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar “, tha në një deklaratë zëdhënësi diplomatik iranian, Nasser Kanani.

Sipas zyrtarëve iranianë, Uashingtoni dhe Londra përdorin qasjen militariste për të promovuar qëllimet e tyre të paligjshme.

“Veprimet e tyre janë qartësisht në kundërshtim me pretendimet e tyre të përsëritura se nuk duan që konflikti të zgjerohet në rajon”, nënvizohet në deklaratë.

Presidenti amerikan, Joe Biden siguroi të martën e kaluar se ai nuk kërkon zgjerimin e luftës në Lindjen e Mesme, në një kohë konfliktesh mes Izraelit dhe lëvizjes islamike palestineze Hamas në Rripin e Gazës.

Këto sulme ajrore pasuan një seri sulmesh amerikane kundër forcave elitare iraniane dhe grupeve të armatosura pro-iraniane në Siri dhe Irak , si hakmarrje për vrasjen e tre ushtarëve amerikanë në Jordani më 28 janar.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com