Investime në Sazan? Rama: Kemi një propozim! Nuk do të falet asgjë e shqiptarëve

Pas rreth një ore ka përfunduar mbledhja e kryeministrit Edi Rama me drejtuesit e qarqeve, në kuadër të “Rienergjizimit të PS” dhe anëtarësimeve të reja. Ai u shpreh se objektivi kryesor i kësaj force politike është “50 mijë anëtarë të rinj deri në Kongresin e Qershorit.”

“Meqë jeni këtu si gjithmonë për respekt, ne bëjmë takime të rregullta sepse jemi në një proces shumë të rëndësishëm e të thellë si asnjëherë më parë, për rienergjizimin e çdo qelize të organizmit të PS në gjithë territorin dhe vazhdimin e hapjes së partisë për anëtarësime të reja., Siç e ndoqët dhe nga Asambleja Kombëtare kemi vendosur objektivin e 50 mijë anëtarëve të rinj deri në Kongresin e Qershorit. Besoj se është një objekt plotësisht i arritshëm, besoj që mesazhi është për të gjithë shqiptarët që e kanë votuar ose jo PS që është e domosdoshme te fuqizojmë PS sepse është e vetmja forcë politike që ka alternativë qeverisëse, aftësi qeverisëse dhe përgjegjësinë reale për procesin e anëtarësimit. Shqipëria 2030 duhet të ngjitet në atë majë, pa mundësi kthimi mbrapa dhe kurora e kësaj maje është gatishmëria për të qenë anëtar i PS”, u shpreh fillimisht kreu i qeverisë.

Më tej ai u pyet lidhur me investimet e mundshme në Sazan, ashtu siç është përfolur kohët e fundit në media. Rama theksoi se çdo shtet ka legjislacionin përkatës sa i takon investimeve të tilla dhe se aktualisht ka një ofertë e cila do të shqyrtohet.

“Ne nuk zgjedhim persona, ne në bazë të legjislacionit shqiptar i referohemi ofertave dhe propozimeve që na bëhen. Transformimi i Sazanit në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit mesdhetar është një ambicie e kahershme, për hir të së vërtetës e kanë pasur dhe paardhës të mitë, ka qenë komplet e paimagjinueshme që të afroheshin investitorë seriozë në Shqipëri. Sot Shqipëria është bërë një adresë gjithmonë e më e kërkuar jo vetëm nga turistët, por edhe investitorët dhe ne jemi të kënaqur që kemi një propozim. Propozimi nuk është ende në procesin e domosdoshëm ku duhet të kalojë në disa shkallë, është bërë një aplikim në Agjencinë tonë të Investimeve të Huaja, do e shqyrtojmë, nëse përputhet me ekuilibrin e zhvillimit me atë të mbrojtjes së natyrës, atëherë do ecim përpara.”

Kryeministri shtoi se “asnjë tokë e shqiptarëve nuk i falet askujt”.

Pyetje: Si do të jetë kontrata, falen toka e falen taksat? Si keni menduar të negocioni?

Edi Rama: Latinët kanë një shprehje, injoranca nuk është argument. Sa i përket zhvillimeve të sipërmarrjes së bazuar të investimet e huaja, të gjitha vendet në planet kanë legjislacione favorizuese, dhe sa i përket zhvillimeve në sektorin e turizmit, është një garë e egër se kush i ka më favorizuese kushtet që të tërheqë investitorë të mëdhenj. Këtu nuk bëhet fjalë për të falur asgjë të shqiptarëve, përkundrazi. Ne sot jemi në kushtet kur shqiptarët janë pjesë e investimit në Portin e Durrësit sepse aty s’është bërë asnjë falje sepse porti mbetet i shqiptarëve.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com