INTERVISTË/ Zonja dhe zotërinj, ky është Bako Chaplin Jr., shqiptari që themeloi kuzhinën mistike në botë

Ndaluni pak dhe imagjinoni: të ulur vetëm në një tavolinë përballë një pjate me pene dhe pesto mes të cilave trishtueshëm të sheh Malena, personazhi ikonik i Monica Bellucci-t. Ose më tej një pjatë me fasule, hithra, piper të zi, që ruhet nga një engjëll metalik. Po sikur midhjet e gatuara me barishte të egra fiq dhe domate të qëndronin sipër një tastiere? Çfarë do të mendonit për “Menunë e Shekspirit” me brinjë të pjekura në gorgonzola, presh, copëza pjeshke e portokallesh të vendosura mbi tabelën e shahut? Po për menynë e Michael Jackcon dhe mëngjesin e Marlyn Monro? A nuk ju bën kurioz “Trahanaja konspirative” me djathë të bardhë, pastërma dhe lajthi, frymëzuar nga Nicola Tesla dhe Migjeni?

Mjaft me kaq! Me siguri që po mendoni se është e gjitha fantazi! Sigurisht, por jo e imja! Zonja dhe zotërinj, ai është Bako Chaplin Jr., e kjo është fraza e tij e preferuar teksa prezanton ndjekësit e tij në rrjetet sociale, me menytë më të fundit dhe përsiatjet e tij meditative e mistike në fushën e kulinarisë. Kështu njihet sidomos virtualisht, pasi ata që e njohin prej vitesh e dinë se emri i tij është Alban Papadhima, me origjinë nga Saranda, diplomuar në Tiranë dhe prej 23 vitesh shtetas gjerman. Me këtë sqarim rrëzohet çdo lloj aludimi se ai mund të jetë familjar i Charlie Chaplin, por thjesht “një pinjoll i vogël” siç e quan veten, të atij që e konsideron humanistin e madh të artit dhe kinematografisë botërore.

Pas mbarimit të universitetit ai rrugëtoi drejt Gjermanisë, ku vijoi sërish studimet për gjermanisht dhe fill pas saj përballja e madhe me asgjënë, pa një zanat konkret në vendin e etur ndaj industrializimit, krah librave që fluturonin me ritmin e ditëve të javëve. “Drama më e madhe që mund t’i shkaktojë vetes njeriu, është leximi”, thotë Bako Chaplin Jr. në këtë intervistë, por ama sqarimi që bën e rrëzon mizorinë që të shkakton kjo frazë.

Pas punëve të ndryshme ndër vite, pandemia e Covid-19 e futi në një rrugë të re. Gërshetoi njohjet e tij në fushën e artit, me pasionin për gatimin, atësitë regjisoriale dhe themeloi kuzhinën mistike, një kreativitet që përdridhet mes periudhash historike e artistike, personazhesh, ngjyrash, e aromash, që shpesh nuk t’i rrok as mendja. “I çoj në Everest, në Kajro, në Mars, në Hënë. Në çdo kohë, madje edhe para 10.000 viteve”, thotë ai më tej, ndërsa rrëfen klientët aspak të zakonshëm të kuzhinës së vet, por edhe objektivat profesionale dhe lidhjen që mban me Shqipërinë.

Në vitet 2000 emigruat në Gjermani. Si e morët vendimin për t’u larguar duke lënë kështu disa vite studime e formim profesional? A e keni ushtruar ndonjëherë profesionin e regjisorit?

Unë jam larguar nga Shqipëria, menjëherë pasi mbarova studimet në Akademinë e Arteve. Vendimi ka qenë i thjeshtë për t’u marrë dhe njëkohësisht më i sakti që kam marrë në jetën time. Gjatë 23 viteve në Gjermani, profesionin e regjisorit e kam ushtruar vetëm 2 herë. Herën e parë në tragji-komedinë “Don Kishoti” të shkruar nga unë dhe herën e dytë në një kolazh me poezi botërore. Asnjëherë nuk do ta besoja në jetë, që ky profesion do të më duhej në profesionin e gatimit.

Keni vijuar studimet në Gjermani, gjë që e keni cilësuar si një dështim. Si mund ta përshkruani rrugën tuaj të emigrimit, përshtatjes me një kulturë të re dhe rinisjes herë pas here nga e para?

Pas studimeve në Fakultetin e Gjermanistikës/Filozofi ka qenë një kohë vakuumi në jetën time. Nuk dija se ku ndodhesha dhe çfarë të bëja. I dështuar në të gjitha drejtimet e jetës. Unë mendoj që drama më e madhe që mund t’i shkaktojë vetes njeriu, është leximi. Deri në fund të vitit 2017, kam lexuar 3-4 libra në javë. E përtej kësaj, njeriu mendon që bëhet inteligjent duke lexuar libra, por intelekti është vetëm një shtresë e inteligjencës. Duhej të më thyheshin turinjtë në jetë, që të filloja një kapitull të ri.

Në periudhën e pandemisë filluat të eksploronit me kuzhinën mistike. A ishte kjo një dëshirë fëmijërie, apo një rastësi e frymëzim i asaj periudhe?

Pandemia ishte trampolina më magjike që mund t’i ndodhte dikujt. Izolimi në shtëpi, dëshira për të bërë diçka dhe mbi të gjitha koha e mjaftueshme, ishin një pikënisje e begatë për t’u arratisur drejt ëndrrave.

Çfarë ushqimesh preferoni të gatuani dhe si i përzgjidhni elementët dekorues, gurët, letrat, pasazhet filmike, muzikën? Cilët janë klientët që shijojnë kulinarinë tuaj?

Gatimet e mija më të preferuara janë kryesisht vegane dhe vegjetariane. Ndërsa për klientët kryej në fillim një intervistë për të marrë informacionet e nevojshme. Për shembull, data e lindjes, episodet mbresëlënëse në jetë, alergjitë, shijet muzikore, dashurinë, ëndrrat, dëshirat.

Klientët e mi janë kryesisht njerëzit me tendosje të theksuara emocionale. Me anë të kuzhinës sime, unë ato mund t’i zhvendos në kohë dhe në hapësirë. I çoj në Everest, në Kajro, në Mars, në Hënë. Në çdo kohë, madje edhe para 10.000 viteve. Gatuaj kryesisht për njerëz që nuk lindin dot fëmijë, paranoid, pasanikë, sportistë etj etj. Në bazë të këtyre informacione, unë mbërthej në pjatën e gatimit emocionet përkatëse.

Jeni aktiv në rrjetet sociale dhe në kanalin e Youtube, duke ndarë jo vetëm procesin e gatimit por edhe këshilla modeste, siç ju i quani. Çfarë ndikimi ka talenti dhe kuzhina juaj dhe sa e njohur është ajo?

Kohët e fundit nga vetë dinamika e kësaj kuzhine, e ndërtuar krejtësisht nga unë në botë, po pëson një shtrirje edhe jashtë Gjermanisë. Dua të theksoj këtu Japoninë, Italinë, Indinë dhe Korenë e Jugut. Ecën e gjitha si në ëndërr. Me kuzhinën time, si qasje thellësisht të re në kulinaristikë, kam zgjuar kureshtje dhe interes në disa vende të botes, sikundër edhe në Gjermani. Ky impakt më ka afruar në disa aktivitete, ku kam ligjëruar për stilin e kuzhinës sime dhe në disa prej tyre kam qenë pjesëtar jurie.

Cili është komenti, përshtypja  më e çuditshme apo më impresionuese që keni marrë? Si ju lexojnë njerëzit në pasionin që ju ekspozoni?

Dua të ndaj 3 përshtypje këtu:

a- Nga profesoresha ime që më liçensoi, kur mbarova së lexuari para saj strategjinë e zhvillimit të kuzhinës sime më tha: “Ti djalosh, duhesh të jesh në Hollywood”

b- Një çift që nuk bënin dot fëmijë dhe që u zhytën në lot pasi panë puthjen e tyre të parë tek pjata-display duke më thënë: “Sa i çmendur duhet të jetë vallë njeriu, që të gatuaj kështu?”

c- Kur kam gatuar për një djalë pasaniku dhe njëherazi paranoid, i cili pas gatimit më tha: “Mësohet në shkollë ky gatim artistik?”

Aktualisht gatuani privatisht për klientelë të kufizuar. A keni në objektivat tuaja, pretendimin për ta kthyer në diçka më të madhe?

Unë aktualisht gatuaj vetëm me pronotime dhe për reklama. Për një gatim të tillë mua më nevojiten ditë të tëra t’a përgatis me menunë, elementët dekorativë, surprizën, muzikën përkatëse. Me pak fjalë është një show i vërtetë. Ngaqë është e vetmja kuzhinë në botë në këtë stil, nuk mund të fsheh as ambiciet e mia.

Unë dëshiroj që me kuzhinën time, të hap një faqe të re në kulturën e të ushqyerit duke u bërë protagonisti kryesor në Europë në fillim dhe më pas në gjithë botën. Deri tani jam në rrugën e duhur. Unë mendoj që në 10 vitet e ardhshme, do ta kem kultivuar, stabilizuar dhe reformuar kuzhinën time duke i dhënë shtratin e duhur të zhvillohet nga gjeneratat e tjera.

Çfarë marrëdhënieje keni me Shqipërinë, me zhvillimet e ndryshme këtu, artin, kulturën apo edhe kulinarinë? A ju mungon diçka prej saj?

Unë jam qytetar gjerman, por përherë jam ndjere si shqiptar. Me Shqipërinë kam marrëdhënie të shkëlqyera. Është kilometri im 0, është vendi ku jemi lindur dhe rritur, është dashuria e vetme e pakomtaminuar dhe së fundmi është djepi i ëndrrave tona fëmijërore.

Nuk më mungon asgjë veç detit në Shqipëri!/Liberale.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com