INTERVISTA/ Rrëfimi i Elisa Spiropalit: Shqipëria, Parlamenti, e majta dhe…

Nga Reldar Dedaj

Elisa Spiropali shënohet si kryetarja më e re në histori e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe po ashtu politikania më hopin më të madh të karrierës për këtë vit. Si një përfaqësuese e brezit të ri, sot, numri dy i shtetit, kumton një ambicie të politikës shqiptare që ky brez, më në fund, ta thotë fjalën e tij, 35 vjet pas rënies së komunizmit. Në një rrëfim për revistën “Liberale”, Spiropali rrëfen nga një kënd tjetër i karrierës së saj të pathënat dhe të thënat e një rrugëtimi jo të shkurtër që nis, pas përfundimit të studimeve në Kanada dhe Amerikë, për t’u rikthyer në atdhe. Në fakt, kur e mendon një zgjedhje të tillë, s’mund të jetë për askënd një veprim i pakuptueshëm, kur lexon atë që ajo vetë e thotë: “jam produkt i familjes, por edhe i historisë, kulturës, artit, madje edhe i klimës, relievit, gjeografisë të vendit tim, të cilin nuk e këmbej me asnjë vend tjetër, sado të qytetëruar e të pasur, kurrën e kurrës.” Dhe, historia vazhdon…

Si e shikoni sot rolin e kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë?

Nuk shoh “rol”. Rolet luhen në teatër, në politikën e keqe, në Tik-Tok. Unë nuk jam “në rol”. Unë jam “në punë”. Si çdo punë. Veçse pa orar. Duke qenë gjithë kohës në punë, për mua orari nuk ekziston. Pra, jo rolin, por punën e shoh me shumë kujdes. Detyrat, përgjegjësitë, ngatërresat e rastit, rreziqet eventuale, rrethanat e favorshme ose jo, janë punët dhe detyrat me të cilat unë merrem dhe përpiqem t’i kryej me cilësinë dhe në afatin e caktuar. Kuvendin që më përpara e shihja nga jashtë vetëm si Tempull të fjalës së lirë, të bukur dhe të fortë, tani që jam brenda dhe në krye, e shoh edhe si një agregat që kryen punë që u shërbejnë njerëzve, duhet menaxhuar si duhet dhe mirëmbajtur.

Në nenin 1 të Kushtetutës sonë shkruhet se “Shqipëria është Republikë Parlamentare”. Në nenin 2 “Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejtë”. Këto formulime sa të bukura dhe të detyrueshme, duhet t’u mjaftojnë përfaqësuesve të popullit, deputetëve, për të qenë kurdoherë në lartësinë e detyrës kushtetuese për të garantuar një Kuvend të pavarur, llogaridhënës, transparent, modern, efiçient që ta kryejnë si duhet punën e vet si ligjvënës, monitorues e kontrollues të pushteteve të tjera. Jo si qëllim në vetvete, por si garant të demokracisë dhe gjithëpërfshirjes. Këtij misioni po i dedikohem plotësisht.

Çfarë ju vështirëson dhe lehtëson më tepër në punën tuaj?

Dhuna materiale, me ngritje nga vendi, uzurpime të foltores, pengime, thyerje, djegie, gjithçka që ka të bëjë me sendet, si dhe mulliri i llafeve të tepërta apo fake-diskutimet, abrakadabrat, shpifjet, mungesa e bashkëpunimit apo pranimit të tjetrit, fyerjet, intrigat, janë vështirësia dhe fatkeqësia e Kuvendit tonë. Diskutimet pasionante, bindja e tjetrit ose të tjerëve me argumente, prova, fakte, arsyetime bindëse, janë dukuritë lehtësuese, që do doja të ndodhnin, qoftë edhe me zë të lartë, qoftë edhe me të bërtitura, madje do i adhuroja dhe do i përkrahja, edhe nëse do ishin aq të fuqishme sa me forcën e frymës së fjalës të shkatërronin dhe të thyenin karrige dhe të shembnin mure. Besoj se i kemi të gjitha mundësitë t’i lëmë pas këto shfaqje të padobishme, mbetje të kulturës totalitare dhe trazicionale, dhe të motivohemi nga modelet e parlamenteve ku fjala ka peshën që duhet, Kuvendi ka dinjitetin dhe autoritetin që meriton.

Cila është formula e suksesit tuaj?

Unë nuk mendoj për asnjë sukses. Aq më pak për “formulë suksesi”. Nëse ndjek pareshtur detyrat dhe problematikat e punës që më është ngarkuar, kryej me seriozitet dhe përkushtim punën që më përket, quhet formulë suksesi, po, këtë e kam bërë, e bëj dhe do e bëj; sot e mot, e përgjithmonë.

Cili është preokupimi i sotëm i kryetares së Kuvendit?

Kryetarja e Kuvendit nuk ka obligime të sotme e të nesërme. Ka detyra të vazhdueshme një numër prej të cilave janë rutinë. Unë s’jam vetëm njeriu që i jap fjalën njërit e tjetrit ditët e seancave. Ajo është çka duket. Kuvendi ka një mijë punë të tjera. Jam edhe administratore e Kuvendit me problematikat që dihen. Preokupimi im nga më të rëndësishmit është përmbushja e prioritetit madhor të Kuvendit, kontributi në procesin e anëtarësimit në BE dhe e monitorimit të negociatave, duke e bërë këtë proces sa më transparent e gjithëpërfshirës, intensifikimi i diplomacisë parlamentare për të siguruar mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare për realizimin e objektivit strategjik kombëtar për anëtarësimin në BE brenda dekadës, mbështetjen për Kosovën, por edhe mbrojtjen e të drejtave të pakthyeshme të shqiptarëve në rajon.

Gjatë sesionit të ardhshëm, i fundit i kësaj legjislature, do të kemi një program e kalendar të ngjeshur, për të shqyrtuar sa më shumë akte ligjore, për të avancuar reformat dhe në shërbim të zhvillimit ekonomik e social, por edhe në fusha të tjera si shërbimet publike jetike, arsimi, shëndetësia, kultura, siguria etj. Do të vijojmë bashkëpunimin e partneritetin me institucionet e pavarura, shoqërinë civile, botën akademike, për të ushtruar përgjegjësitë e përbashkëta para vendit dhe qytetarëve, dhe për ta bërë veprimtarinë e Kuvendit sa më efikase. Kuvendi ka nevojë për ndryshime, brenda dhe jashtë sallës së seancave plenare. Rritja e efiçiencës së drejtimit dhe organizimit të Kuvendit presupozon që, brenda lirive kushtetuese e parlamentare, deputetët të jenë më aktivë, më produktivë, më rigorozë, në ndjekjen e agjendës parlamentare. Partneriteti i Kuvendit mund dhe duhet të fuqizohet e të përfshijë edhe rregullimin ligjor e procedural të ndërveprimit me grupet e interesit dhe lobingun parlamentar, sipas modelit të demokracive të zhvilluara.

Sa i përket përtej vitit 2025 dhe përtej kësaj legjislature, gjatë përvojës sime parlamentare, por edhe gjatë ushtrimit të mandatit të Kryetares, kam kuptuar se Kuvendi i Shqipërisë ka më shumë nevojë e hapësirë për autonomi. Si Kuvendi i një republike parlamentare, por edhe në kontekstin e projeksioneve tona ambicioze, kur në përfundim të legjislaturës së ardhshme, Kuvendi i Shqipërisë do të jetë Parlamenti i një vendi anëtar të Bashkimit Europian, mendoj se zgjerimi i autonomisë duhet të nisë nga ajo financiare. Si një prioritet të legjislaturës së njëmbëdhjetë do të rendisja në krye miratimin e Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë, ku përfshihen ndryshime për Statusin e Deputetit. Kjo presupozon krijimin e kushteve logjistike dhe financiare që deputetët të kenë mundësi të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre, duke u pajisur me zyra, stafe mbështetëse etj. Kjo mund të kërkonte një rikonceptim të godinës së Kuvendit dhe bashkimin në një të sallës së seancave me mjediset e shërbimeve parlamentare. Nuk kam ndërmend një bashkim mekanik, por funksional, në mënyrë që shërbimet parlamentare t’u përgjigjen në mënyrë më funksionale dhe proaktive agjendës dhe veprimtarive parlamentare. Na duhet pra një godinë e re dinjitoze për Shqipërinë europiane.

Në media është aluduar ndonjëherë edhe në lidhje me origjinën tuaj hebreje. A mund të na tregoni si qëndron e vërteta?

Ashtu i është dukur një gazetari fantazioz nisur nga pamja e jashtme dhe gërmime të brendshme në rrjetet e mia sociale dhe daljet publike. Unë s’kam arsye ta pranoj as ta mohoj, aq më pak të komentoj gazetarin që “zbuloi” origjinën time hebreje, i cili, meqë ra fjalë, nuk jeton më. Kam lindur e jam rritur në Tiranë. Prindërit e mi po ashtu. Origjinën e kam prej andej ku Labëria prek Bregun.

A mund të na tregoni se pas studimeve me rezultate të larta në Kanada dhe Amerikë, pse vendoset të ktheheshit në Shqipëri?

Në Shqipëri do kthehesha edhe në Hënë apo në Mars të kisha studiuar. E kundërta, pra që të rrija diku larg Shqipërisë, do ishte e mundur hipotetikisht, por e kam të paimagjinueshme objektivisht. Për një mijë arsye: Sepse vendin tim e dua, njerëzit e dashur i kam afër, jam produkt i familjes sime por edhe i historisë, kulturës, artit, madje edhe i klimës, relievit, gjeografisë të vendit tim, të cilin nuk e këmbej me asnjë vend tjetër, sado të qytetëruar e të pasur, kurrën e kurrës.

Kur ktheni kokën dhe hidhni vështrimin nga rruga nëpër të cilën keni kaluar, çfarë ju ka mbetur në mendje që vërtet ja vlen të tregohet?

Më ka mbetur në mendje që Shqipëria e 300 ditëve diell në vit, është një vend tmerrësisht i bukur, me nëntokë dhe mbitokë të pasur, me natyrë dhe klimë fantastike, qytete magjike, tradita dhe zakone mahnitëse, si dhe sigurisht njerëz të mrekullueshëm. Të tjerat, ku vajta, sa mijëra kilometra udhëtova, si e binda elektoratin të votojë partinë time, janë statistikë, janë kronikë, janë përditshmëri, që po deshët ua rrëfej, por kjo bisedë do dilte tepër e gjatë.

Çfarë qëndrimi duhet të ketë intelektuali në marrëdhënie me politikën?

Intelektuali nuk duhet t’i rrijë politikës afër apo larg, por në distancë optimale, të mbajë qëndrim serioz, të mos përkulet nga fryn era. Ta njohë veten. Ta njohë vendin. Ta shfrytëzojë talentin apo zotësitë që ka duke mos bërë eksperimente, marifete, dallavere, gjëra të dyshimta, por për të bërë atë që di, atë që mundet, atë që ia lejojnë rrethanat. Jo të tjera, se e mbulon turpi, dhe e gjen belaja.

A ekziston diçka që ju shqetëson më shumë se çdo gjë sot për Shqipërinë?

Mentaliteti i vjetërsuar, bindjet e ngurta, mungesa e tolerancës, mllefi ndaj suksesit të tjetrit, zelli për linçim dhe denigrim publik përmes ekranit dhe tastierës, ikja me hyxhym, vetëdija e mangët e jetesës në komunitet, mosnjohja e detyrave dhe e të drejtave. Pra, nuk kemi pak shqetësime. Por po i ndreqim. Jemi në rrugë të mbarë. Pas pak do jemi ku kemi rrënjët, ku prej mijëra vjetësh kemi qenë dhe do të jemi, në Europë.

Cilët janë shkrimtarët dhe këngëtarët që ju lexoni dhe dëgjoni më shpesh?

Shkrimtarët, përveç Kadaresë, Shekspirit, Dantes, Tolstoit, Markezit, Dostojevskit, Lasgushit, poetëve amerikanë dhe rusë, politikanët që shkruajnë biografitë e tyre, më janë të dashura edhe dallgët e detit që gdhendin shkëmbinjtë, rrufetë që grisin errësirën, vjeshta që qëndis qytetin me gjethe të rëna, dimri që dërgon kartolina. Këngëtarët e mi të preferuar, përveç Leonard Cohen dhe Nina Simone janë edhe bilbilat që këndojnë në degë, cicërimat e zogjve në pyll, pëshpërimat e përrenjve që ikin rrëmbyeshëm drejt lumit.

Ju si politikane dhe intelektuale keni heronj. Si ndjeheni në krahasim me ata?

Unë jam dhe deri në fund do të jem, një njeri i papërfunduar, i papërsosur, një “under construction”. Ustallarët apo kudhrat që vazhdimisht më formësojnë dhe kurdoherë më kalisin janë mirënjohja, pasioni dhe durimi im, punët që unë bëj, detyrat që unë plotësoj. Për “Heronj” është herët. Duhet pritur sa të gdhijë dita, të këndojnë gjelat, të lehin qentë, të dali tym nga oxhakët, të lindë Dielli. Pastaj shohim e bëjmë. (Revista Liberale)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com