Kina publikoi të martën një plan veprimi për të përshpejtuar ndërtimin e një “sistemi të ri elektrik”, si pjesë e përpjekjeve të vendit për zhvillimin me lëshim të ulët karboni dhe për të garantuar sigurinë energjitike.
Plani, i publikuar së bashku nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës, Administrata Kombëtare e Energjisë (NEA) dhe Administrata Kombëtare e të Dhënave, përshkruan hapat që duhet të hidhen në nëntë fusha në periudhën e viteve 2024-2027. Autoritetet kineze do të punojnë për të rritur transmetimin e elektricitetit të pastër nëpërmjet rrjetit duke përdorur teknologjitë e përparuara të prodhimit të energjisë, rregullimit dhe kontrollit.
Ndërsa prodhimi i energjisë së erës e diellore në shkretëtirat dhe zonat e shkretëtirëzuara të Kinës po rritet, po shtohet nevoja për të transmetuar energjinë e pastër në rajonet që konsumojnë sasi të madhe elektriciteti, tha NEA në një njoftim shtypi mbi planin.
Kina synon të rritë kapacitetin total të instaluar të strukturave të prodhimit të energjisë së erës dhe diellore në shkretëtira dhe zonat e shkretëtirëzuara në 455 milionë kilovatë deri në vitin 2030. Aktualisht, linjat ndërrajonale të transmetimit mbartin kryesisht energjinë e prodhuar nga qymyri dhe uji.
Sipas dokumentit, Kina planifikon gjithashtu të përmirësojë termocentralet e saj për të arritur një “ulje thelbësore” të lëshimeve të karbonit.
Tregu i makinave me energji të reja në Kinë ka bërë përparim të vazhdueshëm në vitet e fundit, me shitjet e makinave të tilla që u shtuan 32 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, duke krijuar kërkesë të madhe për pika ngarkimi baterish në vend.
Konsumi i elektricitetit në Kinë, një barometer kyç i veprimtarisë ekonomike, pati një rritje të madhe prej 8.1 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, duke arritur në gati 4.66 trilionë kilovatorë. Ekonomia e dytë më të madhe në botë ka nevojë për një furnizim të besueshëm me elektricitet.