Identifikohen 20 zona me rrezikshmëri të lartë për terrorizëm në Shqipëri

Në Shqipëri janë identifikuar 20 zona të nxehta që do të mbahen në monitorim si vatra me rrezikshmëri të lartë për ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.

Vlerësimi ishte një proces disavjeçar që pasoi luftën në Siri dhe rekrutimin e disa dhjetëra luftëtarëve si dhe plot 145 familjeve përfshi gra dhe fëmijë. Shumica e tyre ende nuk janë riatdhesuar dhe gjenden në kampin Al-Hol. Iris Luarasi që drejton Linjën e Këshillimit për vajza dhe gra tha nga Gjirokastra se situata diktoi masa dhe vëmendje të shtuar për të parandaluar radikalizmin prandaj shoqëria civile dhe ekspertët që u përfshinë në menaxhimin e situatës kanë kërkuar përgjegjësi të qarta insitucionale në të gjithë territorin e vendit.

Për këtë arsye në të gjitha qarqet sapo u krijuan Komitetet Rajonale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Në Gjirokastër kjo strukturë do të mbajë në monitorim një territor të gjerë si dhe aktivitete të dyshimta që lidhen me fenomenin. Znj. Luarasi gjithashtu shpjegoi rolin e komuniteteve fetare brenda këtij procesi. Shpesh sipas saj manipulimi me karakter fetar ka mundësuar rekrutimin e personave të varfër, të parealizuar dhe të pafuqizuar prej shoqërisë nën kauza të rrezikshme por gjithsesi ekstremizmi nuk është shfaqur vetëm me natyrë fetare.

Megjithëse Gjirokastra nuk hyn në hartën e 20 zonave të nxehta të përcaktuara për monitorim intensiv, të qenit një rreth kufitar dhe fakti që zona të tëra malore në hapësirën rurale po braktisen nga popullsia sipas komitetit të sapokrijuar do të kërkojë vëmendje të shtuar prej 10 institucioneve pjesë e kësaj strukture.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com