Pesë ditë pas zhdukjes së 63-vjeçarit Ëngjëll Kanani pranë lumit Vjosa në afërsi të fshatit Kashisht, nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Mister mbetet fakti që nuk është gjetur asnjë send personal i tij, si mjetet e peshkimit, çanta apo celulari.
Për më tepër, celulari i 63-vjeçarit ka qenë i hapur deri 24 orë pas zhdukjes, teksa kishin nisur kërkimet për të.
Familjarët dhe miku i tij 64-vjeçar e kanë telefonuar vazhdimisht në numrin e tij, por nuk përgjigjej askush.
Kërkimet janë shtrirë edhe në kanalin Vjosë – Levan – Fier, që lidhet me lumin Vjosa, madje një grup familjarësh po kontrollojnë këtë zonë prej dy ditësh, duke iu bashkuar kështu operacionit të kërkimeve nga policia dhe ekipit të polumbareve.
Megjithatë, nga 63-vjeçari nuk ka asnjë gjurmë. Krahas kërkimeve, sektori i krimeve në komisariatin e Fierit ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Ëngjëll Kanani është baba i dy fëmijëve. Bashkë me një shokun e tij, të dy me banim në Berat, prej tre vitesh ushtronin peshkim amator në lumin Vjosa.
Ditën e zhdukjes, të enjten e javës që shkoi, dy shokët janë parë të peshkonin në vende të ndryshme në zonën e Kashishtit.
Miku i tij ka deklaruar në polici se kishin lënë takim dhe orar për t’u takuar, por 63-vjeçari nuk erdhi në vendin ku kishin lënë takim. Pas disa orësh, pasi 63-vjeçari nuk përgjigjej në telefon, miku i tij denoncoi zhdukjen. Kërkimet vazhdojnë.