Pas lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të madh të humorit, Zef Deda, pas një sëmundjeje të rëndë, të shumta kanë qenë reagimet e miqve, kolegëve dhe atyre më të cilët ndau skenën. Të pikëlluar nga humbja, ata tregojnë njohjen me aktorin si dhe bashkëpunimet që kanë pasur ndër vite.
Aktori Edmond Halili, mes lotësh, ka treguar se i shkoi për vizitë në shtëpi dhe aty mori vesh se aktori ishte ndarë nga jeta.
“Sot kam shkuar në mëngjes. Sa shkova te dera e shtëpisë, doli një infermiere dhe e pyeta se si ishte dhe tha: “Më vjen keq, Zefi ndërroi jetë”. Është një dhimbje e madhe për ne, për familjen e tij dhe për humorin shqiptar. Jam takuar me të, kemi bërë show në Pallatin e Kongreseve. Pinim kafe dhe nga një gotë raki. Me Zefin kam shumë kujtime, kemi qenë në një lagje, kemi dhënë shfaqje të mëdha. Jam me lot në sy, nuk mund të flasë më shumë (qan). Zefi ka qenë i mrekullueshëm, nuk bën nëna më Zef”, tha Halili për News 24.
Regjisori i njohur Osman Mula ka treguar se janë rritur bashkë me Dedën, kanë ndjekur shkollën dhe kanë qenë të pandashëm.
“Lajmi më erdhi si bombë. E ndjeva veten keq, pasi Zefin e kam pas shokun më të ngushtë që i vogël që kur kam filluar klasën e parë. Kur na shihnin në Shkodër, thoshin ku është Zefi është edhe Osmani, ku është Osmani është edhe Zefi. Është një njeri me zemër të madhe. Shumë shpejt u pa tek ai që jetën do ta kishte në skenë. Imitonte shumë bukur që i vogël. Ishte shumë i këndshëm. Zefi ishte i sëmurë kohët e fundit. Unë isha në Shkodër para tre javëve për festivalin “Luleborë” dhe pyeta për Zefin dhe më thanë nuk është mirë dhe më thanë mos shko ta shohësh në këtë gjendje. Do ta kisha pasur shumë të vështirë. Zefi ka kenë një djalosh që e donte teatrin.
Zefi nuk ka kenë në estradë se ishte aktor i madh. Zefi nuk e luajti aktorin e madh në jetën e përditshme, por ishte aktor i vërtetë në skenë. Për të folur për Zefin na duhen vite. Zefi ka studiuar klarinetë, por nuk e donte këtë. Donte të kapte 70 profesione. E shihte një person me biçikletë dhe ishte i gatshëm ta analizonte me detaje. Të gjitha këta kategori të njerëzve i sillte para shoqërisë dhe shoqëria shqiptare ia pranoi”, tha ai.
Aktorja e njohur shkodrane, Drande Xhaj, partnerja në skenë e Zef Dedës, mes lotësh ka treguar takimin e fundit me aktorin para dy netësh, ku kishte shkuar ta takonte bashkë me kolegë të tjerë.
“Para dy netësh shkuam dhe ta shihnin. Me Milotin dhe Kulçin. Kemi shkuar për të, jemi interesuar për shëndetin e Zefit. Nuk e kishte kohën Zefi që të ikte tani. Ishte i ri për t’u larguar nga jeta. Na ka lënë një dhimbje të tmerrshme, por ishte Chaplini shqiptar. Është aktori fenomen. E kemi dashur si pjesë e familjes. Na mungon jo vetëm si artist, por dhe si njeri. Kam qenë partnere në skenë e Zef Dedës. Ai ka qenë i jashtëzakonshëm”, tha ajo.
Rita Gjeka, drejtoresha e teatrit “Migjeni” në Shkodër tha se Deda ishte një drita e një epoke të ndritur për këtë teatër.
“Edhe pse diferenca në moshë me Zefin nuk është e madhe, e kam pasur idhull. Ai ka qenë një aktor jo vetëm i madh, por fenomeni Zef Deda. Ka lënë një epokë. Ne kemi jetuar atë epokë dhe ai ka qenë drita. Ai e donte shumë estradën dhe ndenja që ai kishte, e kishte që të ngrihej sa më shumë. Amaneti që ka lënë, do të bëhet realitet. Edhe në drejtimin e teatrit e ka marrë Kuliçi. Do të plotësohet amaneti i Zefit. Iku në një moshë krejt të re. Edhe në rini ka pasur disa probleme me këmbët. Por i kapërcente me humorin e tij. Tani e këputi sëmundja e keqe. Nuk kam shkuar ta takoj, pasi kisha qejf që ta mbaja mend Zefin ashtu siç ishte më parë. Zefin e ka dashur gjithë populli, të gjithë e kanë vlerësuar. Edhe opozita dhe pozita, mendoj se është shpërblyer. E ka marrë dhe pensionin e veçantë, të paktën nuk ngeli fukara. Ka pasur të ardhurat e veta, edhe pse kishte dy djemtë të mrekullueshëm. Shokun Xhemal, atë e veçoj si rol”, tha ajo.