14 shoqëri tregtare dyqane apartamente e vila me vlerë rreth 50 milionë euro të cilat zotëroheshin nga Elman Abule, Kristian Boçi, gruaja e tij Drilona Boçi si dhe 4 personave të tjerë të lidhur me ta, janë sekuestruar nga prokuroria e Tiranës.
Nga hetimet dyshohet se Elman Abule nga Tirana, por me nënshtetësi belge në bashkëpunim me Kristian Boçin si dhe bashkëshortet e tyre janë përfshirë në një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave ndërsa sipas prokurorisë Abule është dhe i dënuar nga gjykatat Belge për trafik narkotikësh.
Kristian Boçi i njohur për jetën e tij luksoze në rrjetet sociale dyshohet se në bashkëpunim me Elman Bulen i dënuar në Belgjikë për trafik droge e grup kriminal, kanë pastruar para duke bërë blerje fiktive me vlera jo reale. Të tilla janë dhe shitjet e automjeteve luksoze të Elman Bules, të cilat dyshohet se janë përfituar nëpërmjet shoqërisë me emrin Fidalba, që merrej me tregtimin e metaleve, por që në të vërtetë nuk ka kryer asnjë veprim juridik.
Kristian Boçi
Për hapjen e shoqërive 43-vjeçari Abule ka përdorur Kristian Boçin i cili nuk është një personazh i panjohur në rrjetet sociale. I përfolur si biznesmen, Boçi së bashku me bashkëshorten e tij Drilonën, reklamonin në rrjetet sociale jetën luksoze, por edhe bamirësi të ndryshme për njerëzit në nevojë. E gjitha kjo sipas prokurorisë ka qenë një bashkëpunim për pastrimin e parave, të cilat në origjinë kanë ardhur si pasojë e trafikut të lëndëve narkotike.
Gjithashtu, Abule, kompanitë e të cilit kishin si aktivitet kryesor përpunimin e metaleve me qëllim pastrimin e parave, kishte hapur dhe një kompani eolitike.
Në vitin 2018 Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë Pukë miratoi dhe planin e përgjithshëm të kësaj bashkie, ku ndër të tjera parashikohej dhe investimi në impiantet e prodhimit të energjisë me anë të erës. Kompania Ventus shpk një degë e Fidalba, e zotëruar nga 43-vjecari Abule do të finalizonte projektin, por që nuk përfundoi kurrë./a2