Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla i kërkoi Gjykatës së Posaçme ta shpallë të pafajshëm dhe të mos pranojë dënimin me 3 vite e 6 muaj që u kërkua një javë më parë nga SPAK.
Alla dhe avokatët e tij paraqitën në seancën e sotme gjyqësore konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes, duke kundërshtuar akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.
“Jam i pafajshëm jam zgjedhur me 67 % të votave nga populli i Bulqizës. I kam shërbyer me ndershmëri dhe përkushtim. Kam hequr dore nga biznesi. Nuk pasur përvoja të tjera në administratë. Lashë biznesin tim për t’i shërbyer popullit. Kam marrë nga pjesa e familjes time për t’ia vënë në dispozicion popullit. Shiheni me kujdes këtë punë se prokurorja e çështjes nuk me ka marrë në pyetje”. mësohet të ketë thënë Lefter Alla.
Kujtojmë se Lefter Alla dhe nëpunësit e tjerë të Bashkisë Bulqizë akuzohen se kanë abuzuar me tenderin “Ndërtimi i rrjetit të furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”. Tenderi kapte vlerën e 322 milionë e 439 mijë lekë.