SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim Muhamet Manollarin, djalin e një anëtari të ISIS
Ai akuzohet për ‘Financimi i terrorizmit’ pasi i dërgote para babait në Siri
Në 2018 transferoi te një shtetas sirian 864 euro me qëllim që t’ia dërgonte babait të tij në Siri.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.255, të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurit Muhamet Manollari, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Financimi i terrorizmit”, parashikuar nga neni 230/a i Kodit Penal.
Nga aktet hetimore ka rezultuar se i pandehuri Muhamet Manollari është djali i shtetasit Mehdi Manollari. Ky i fundit, në datën 05.05.2013 është larguar nga Shqipëria për në Siri, duke u bërë pjesë e organizatës “ISIS”, e listuar si organizatë terroriste nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Shtetasi Mehdi Manollari është listuar sipas VKM-së nr.769, datë 02.11.2016, në listën kombëtare të personave të shpallur për financim të terrorizmit.
Në datën 19.11.2018, i pandehuri Muhamet Manollari, ka transferuar nëpërmjet një institucioni që ofron shërbime financiare “transferta monetare” shumën prej 864 (tetëqind e gjashtëdhjetë e katër) Euro, në favor të shtetasit sirian me iniciale A.A.S, me qëllim për t’ia dërguar babait të tij Mehdi Manollari, i cili në atë kohë ndodhej në Siri, dhe ka qenë pjesëmarrës i organizatës terroriste “ISIS” (besohet të ketë vdekur në vitin 2019).
Për të dërguar këtë shumë parash, i pandehuri Muhamet Manollari, nuk ka përdorur emrin e tij, por ka përdorur një kartë identiteti në emër të shtetases me iniciale A. N., e cila e kishte raportuar atë të humbur, disa kohë para ngjarjes, dhe shuma e parave është dërguar jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë shtetasit Mehdi Manollari (pasi ai ka qenë i listuar si person ndaj të cilit nuk mund të kryheshin transferta), por një personi tjetër të referuar prej tij, shtetasit sirian A.A.S.