I dënuari për vrasje u arratis nga shtëpia, pezullohen nga detyra katër efektivë policie në Durrës

Arratisja e 39-vjeçarit Afrim Kila iu ka kushtuar shtrenjtë 4 efektivëve të policisë së Durrësit. Një ditë pas ngjarjes, ku i dënuari për vrasje u largua nga banesa e tij në Manzë, edhe pse ndodhej në arrest shtëpie, ka ardhur vendimi i Policisë së Shtetit.

“Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra, për shkelje të pikës 5 të nenit 209 të rregullores së Policisë së Shtetit, punonjësit e Policisë:

-Inspektorë B. V., K. D. dhe O. Sh., të tre oficerë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës;
-Inspektor S. K., trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Manzë.

4 punonjësit e Policisë janë pezulluar nga detyrat, pasi kanë qenë me shërbim, kur është larguar nga banesa e tij në fshatin Gjuricaj, shtetasi Afrim Kila, për të cilin Gjykata e Apelit, Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Ndërkohë, AMP-ja ka iniciuar hetim penal për këtë rast dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin ligjor të përgjegjësive”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kila është dënuar për vrasjen me dashje të ndodhur në vitin 2020 në një lokal në Ishëm. Ai u lirua në arrest shtëpie për shkak se skaduan afatet e paraburgimit, edhe pse ishte dënuar 18 vite nga Gjykata. Fillimisht u dyshua se ngjarja ishte aksidentale, pasi personi ishte përplasur me makinë. Më pas u zbulua se Kila kishte goditur me sende të forta dhe më pas e kishte vrarë duke e goditur me automjet.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com