Laert Haxhiu, një nga më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare, pritet të ekstradohet sot nga Greqia në Shqipëri. Klan News raporton se Haxhiu do të ekstradohet në vendin tonë përmes pikës kufitare të Kakavijës.
Kujtojmë se Laert Haxhiu u arrestua në Maj të vitit 2023 në Janinë pas një ndjekje policore nga autoritetet greke.
Laert Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme si autori kryesor i vrasjes së dyfishtë në Lushnje në vitin 2017.
Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e SPAK për masën e dënimit duke e konsideruar atë si autorin kryesor të asaj që njihet si ‘masakra e Lushnjës’, ku mbeti i vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, si dhe u plagos edhe një tjetër.
Pas shpalljes së vendimit, avokati i tij Detar Hysi tha në një reagim që shpërndau për mediat, se gjykata ka tejkaluar kompetencat e veta dhe ka dhënë një vendim të padrejtë, duke nxitur seri vrasjesh në qytetin e Lushnjes.
Për këtë ngjarje me herët me burgim të përjetshëm janë dënuar edhe Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.
/a.r