Gazeta gjermane Bild, ka zbuluar detaje nga vrasja e 32-vjeçarit serb Aleksandër Stefanoviç, i cili u ekzekutua në Duseldorf të Gjermanisë nga një 52-vjeçar me origjinë nga Kosova.
Autori Rrustem Llapi, është lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg” sipas një vendimi të gjykatës gjermane.
Sipas medias gjermane, dyshimet e para janë që konflikti ka ndodhur si pasojë e një borxhi prej 15 mijë eurosh.
Llapi dyshohet se ka humbur një shumë prej 15 mijë eurosh në bixhoz dhe është rikthyer në restorantin e 32-vjeçarit serb i armatosur.
“A ka vdekur reperi gangster dhe pronari i lokalit Aleksandar M. për 15 mijë euro? Ai u qëllua katër herë të dielën mbrëma nga vrasësi i dyshuar me tuta të kuqe në Dyseldorf”, shkruan tabloidi gjerman.
Sipas dëshmive, në ambientet e jashtme të lokalit ka pasur një përplasje mes 52-vjeçarit shqiptar dhe pronarit serb.
Më pas debati ka vazhduar në një konfrontim me armë, ku shqiptari e ka qëlluar disa herë duke e lënë të vdekur në vend.
Gjithashtu sipas mediave vendase ata kanë dalë jashtë restorantit për të zgjidhur debatin me tyre, por sherri u përshkallëzua dhe 52-vjeçari ka nxjerrë papritur armën dhe ka qëlluar disa herë viktimën. Pas aktit ai është kthyer në restorant dhe ka pritur të mbërrijë policia, duke mos bërë rezistencë.
Viktima Aleksandër M njihet gjithashtu si reper, i cili në të kaluarën ka publikuar këngë me reperët e njohur në Gjermani, Kollegah dhe Sun Diego, i njohur si “Aleks M”, sipas raportimit të gazetës gjermane WELT./m.j