Holanda del kundër BE-së, regjim të rreptë ndaj migracionit dhe azilkërkuesve

Koalicioni i katër partive në Holandë, i udhëhequr nga kryeministri Dick Schoof, ka premtuar të ndërtojë regjimin më të rreptë të azilkërkuesve që është ndërmarrë ndonjëherë.

Qeveria e re holandeze i ka kërkuar Komisionit Evropian për të siguruar një klauzolë të përjashtimit nga sistemi i migracionit dhe azilit të BE-së, një lëvizje e paprecedentë nga një shtet anëtar themelues.

Sapo kam informuar Komisionin Evropian se dua një tërheqje të migrimit brenda Evropës për Holandën. Ne duhet të jemi përsëri në krye të politikës sonë të azilit!”, tha Marjolein Faber, ministrja holandez për azilin dhe migracionin.

Faber i përket Partisë për Liri (PVV), partisë së ekstremit të djathtë, ultra-nacionaliste e udhëhequr nga Geert Wilders, i cili është forca kryesore pas koalicionit të ri qeverisës.

Plani i heqjes dorë, i parashikuar në korrik dhe i konfirmuar javën e kaluar, konsiderohet i largët dhe simbolik, me pak ose aspak shanse për të pasur sukses pasi do të kërkonte rishikim të legjislacionit shumë të ndjeshëm dhe mund të hapte portat për kërkesa të ngjashme nga vendet e tjera.

Në letrën e saj drejtuar Ylva Johansson, Komisioneres Evropiane për Çështjet e Brendshme, Faber pranon se përjashtimi mund të arrihet vetëm “në rast të ndryshimit të Traktatit”, dhe jo në afat të shkurtër.

Përjashtimi i Holandës nga sistemi i migracionit të BE-së do të shkaktonte në mënyrë të pashmangshme një valë azilkërkuesish drejt vendeve fqinje, duke prodhuar një skenar krize.

Megjithatë, kërkesa përfaqëson një përpjekje të pamenduar më parë nga një vend i BE-së duke sfiduar ligjet e vendosura nga BE.

Kjo lëvizje vjen pas vendimit të Gjermanisë për të rivendosur kontrollet kufitare në të nëntë kufijtë e saj tokësorë, duke hedhur dyshime mbi funksionimin e zonës “Shengen” pa pasaporta.

Qeveria holandeze ka theksuar se vendi do të përqendrohet në zbatimin e Paktit të Ri për Migracionin dhe Azilin, reformën e gjerë që BE përfundoi në maj pas pothuajse katër vjet luftë negociatash.

Risia kryesore e Paktit është një sistem “solidariteti i detyrueshëm” që do t’u japë vendeve tre opsione për të menaxhuar azilkërkuesit: të zhvendosin një numër të caktuar prej tyre, të paguajnë 20,000 euro për secilin që refuzojnë ose të financojnë mbështetjen operacionale. Holanda do të zgjedhë mbështetjen financiare në vend të pritjes.

Të premten e kaluar, në pritje të programit të qeverisë, Komisioni e bëri të qartë se të gjitha shtetet anëtare janë të detyruara nga rregullat ekzistuese dhe se çdo përjashtim nga këto rregulla duhet të negociohet përpara – jo pas – miratimit të tyre.

Ne kemi miratuar legjislacionin. Ju nuk mund të tërhiqeni nga legjislacioni i miratuar në BE. Ky është një parim i përgjithshëm”, tha një prej zëdhënësve të BE-së. Në maj, Holanda votoi në favor të të gjitha ligjeve që përbëjnë Paktin e Ri.

Ky proces do të zgjasë dy vjet për të hyrë në fuqi. Shtetet anëtare duhet të paraqesin plane zbatimi përpara fundit të vitit, duke detajuar hapat administrativë, operacionalë dhe ligjorë që synojnë t’i bëjnë realitet ligjet e tilla.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com