Hezbollah konfirmoi vrasjen e një komandanti, mbi 30 të vdekur nga sulmi izraelit në Bejrut

Numri i të vdekurve si pasojë e sulmit izraelit në kryeqytetin e Libanit, Bejrut ka shkuar në mbi  30, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e Libanit. Mes të vrarëve raportohet se janë edhe tre fëmijë. Sulmi ajror i së premtes, në një ndërtesë shumëkatëshe, kishte objektiv një prej komandantëve kryesorë të grupit Hezbollah, Ibrahim Aqil. Duke konfirmuar vdekjen e tij, grupi i armatosur libanez e quajti atë si një nga udhëheqësit e mëdhenj xhihadistë.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite,  admirali Daniel Hagari, tha se sulmi vrau komandantin e Forcës elitare Radwan të Hezbollahut dhe 10 operativë të tjerë të këtij grupi. Hagari tha se ata ishin mbledhur në strehat nëntokësore duke u fshehur mes civilëve libanezë, të cilët i përdornin si mburoja njerëzore. Ai pretendoi se grupi i armatosur po planifikonte të depërtonte në komunitetet izraelite dhe të vriste civilë të pafajshëm. SHBA e kishte shpallur në kërkim komandantin e Hezbollahut, i njohur gjithashtu me emrin Tahsin.

Vitin e kaluar, për të shënuar 40-vjetorin e bombardimit të Ambasadës amerikane në Bejrut, Departamenti amerikan i Shtetit kishte vendosur një shpërblim prej 7 milionë dollarësh për këdo që jepte informacione për komandantin libanez, që u vra të premten nga Izraeli. SHBA e ka akuzuar Akilin për përfshirje në sulmin e ambasadës në vitin 1983, ku u vranë 63 persona si dhe për bombardimin e kryer nga Hezbollahut në kazermat e Marinës në Bejrut, që po atë vit vrau 241 persona, staf amerikan.

Sulmi izraelit i së premtes është cilësuar si ndër më vdekjeprurësit në kryeqytetin libanez Bejrut, pas shpërthimit të koordinuar të pajisjeve të komunikimit të anëtarëve të Hezbollahut, që la dhjetëra të vrarë e mijëra të plagosur në fillim të javës.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com