Qeveria iraniane konfirmoi më herët se helikopteri me të cilin po udhëtonte presidenti ka bërë ulje emergjente për shkak të motit me mjegull, afër kufirit me Azerbajxhanin.
Televizioni shtetëror dhe Ministria e Brendshme thanë se ekipet e shpëtimit po tentojnë t’i afrohen zonës, mirëpo po hasen me vështirësi, për shkak të motit të keq.
Ministri i brendshëm e përshkroi incidentin si “ulje e ashpër”, por nuk tregoi kush ishte në helikopter. Në deklaratat e tij, Ministri i Brendshëm iranian Ahmad Vahidi konfirmoi informacionin se Raisi dhe shoqëruesit e tij ishin në më shumë se një helikopter, njëri prej të cilëve bëri një ulje të rëndë për shkak të kushteve të këqija atmosferike në zonë.
Ai shtoi se në vendin e ngjarjes janë dërguar ekipet e shpëtimit, por për shkak të kushteve dhe terrenit të vështirë, do të duhet pak kohë për të arritur në vendngjarje.
“Jemi në komunikim me rrethin e presidentit, por për shkak të terrenit komunikimi është disi i vështirë”, sqaroi ai.
Reuters raportoi se Fars u bëri thirrje iranianëve të luten për presidentin. Presidenti iranian ka qenë duke udhëtuar në Azerbajxhanin Lindor, provincë iraniane.
Televizioni shtetëror raportoi se ekipet e shpëtimit kanë tentuar të arrijnë te zona e incidentit, mirëpo janë duke u penguar nga kushtet e këqija atmosferike.
Në atë zonë është raportuar për shira të rrëmbyeshëm dhe erë të fortë. Raisi ishte në Azerbajxhan të dielën, për të inauguruar një digë, bashkë me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Kjo digë është e treta që ndërtojnë dy vendet mbi lumin Aras. Irani ka disa helikopterë, mirëpo sanksionet ndërkombëtare e vështirësojnë ndërrimin e pjesëve të tyre.
Flota ushtarake ka pajisje që datojnë prej periudhës para Revolucionit Islamik të vitit 1979. Raisi, 63-vjeçar, është zyrtar i linjës së ashpër që paraprakisht ka udhëhequr sektorin e gjyqësorit.
Ai është i afërt me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei dhe disa analistë sugjerojnë se ai mund të zëvendësojë liderin 85-vjeçar, pas vdekjes së tij, apo heqjes dorë nga pushteti.
Raisi është sanksionuar prej Shteteve të Bashkuara për përfshirjen e tij në ekzekutimet masive të mijëra të burgosurve politikë më 1988, në fund të luftës së përgjakshme Iran-Irak. Nën udhëheqësinë e Raisit, Irani tani pasuron uranium në nivele të larta dhe shmang inspektimet ndërkombëtare.