Bashkëkohësit e thërrisnin Haxhi Zjarrmi se kudo që shkonte digjte shtëpitë e kundërshtarëve, por, edhe të fshatarëve të thjeshtë
Haxhi Qamili, i cili kishte disa emra, quhej gjithashtu, edhe Haxhi Zjarrmi. Kjo për shkak se ai pasi i varte në litar, kundërshtarët e tij, u digjte edhe shtëpitë. Madje në një rast, ai thuhet se ka djegur edhe një shtëpi të Esat Pashë Toptanit, diku në Laprakë. Haxhi Qamili ishte “prijës” i kryengritjes fshatare të Shqipërisë së Mesme kundër Princ Vidit dhe Shqipërisë së pavarur. Parulla e kësaj lëvizjeje parodike ishte “Dum Babën”, pra, “Duam
turkun” dhe kësisoj ishte një thikë pas shpine për pavarësinë e kombit tonë. Vendlindja e Haxhi Qamilit është Vaqarri. Ai u shfaq si një person enigmatik në vitet 1914, pasi 5 Fuqitë e Mëdha, Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austria dhe Italia, caktuan në Shqipëri Princ Vidin, për të qeverisur, Në këtë periudhë u shfaq Haxhi Qamili që bëri një pseudo-kryengritje fshatare të armatosur, e cila i kushtoi Shqipërisë me mijëra viktima, si edhe
dëme të tjera materiale. Haxhi Qamili është një figurë pak e njohur në historinë shqiptare. Udhëheqësit shpirtërorë dhe liderët e vërtetë të kryengritjes ishin myftiu i Tiranës, myftiu i Kavajës, ca figura jo shumë të qarta për historinë. Haxhi Qamili ishte thjesht ai fshatari që u bë krahu i armatosur.Kryengritja e Fshatarësisë së Shqipërisë së Mesme e vitit 1914, apo siç është njohur ndryshe “Rebelimi i Haxhi Qamilit”, ka qenë një nga ngjarjet historike e cila që gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ka
pas ngjallur debate të shumtë në mes historianëve që u morën me hartimin e përpilimin e historisë zyrtare të Shqipërisë, si dhe të disa studiueseve e historianëve të tjerë që e kishin atë ngjarje objekt të punës së tyre në mënyrë të pavarur. Dy nga ata studiues e historianë që në studimet e tyre, mbronin pikëpamjen se Kryengritja e Haxhi Qamilit ishte një rebelizëm dhe kryengritje antikombëtare, ishin Qamil Çela (komunisti i parë shqiptar) dhe profesor Skënder Luarasi. Në fundin e viteve ’50 kur ishte duke u diskutuar maketi i Historisë së Shqipërisë në mes specialistëve dhe historianëve që mbulonin atë periudhë kohore të historisë së popullit shqiptar, rreth asaj ngjarje historike shumë të diskutuar, shfaqi pikëpamjet e tij edhe vetë Enver Hoxha duke e analizuar atë hollësisht deri në detaje dhe se çfarë kishin thënë studiuesit e huaj e ata shqiptarë (Q. Ç dhe S.L.) për atë kryengritje. Ajo ngjarje historike, pra Kryengritja e Haxhi Qamilit, vazhdon edhe sot e kësaj dite të ngjalli debate të shumta midis historianëve dhe specialistëve të Institutit të Historisë e Akademisë së Shkencave që e kanë paraqitur atë në tekstet zyrtare si dhe të atyre që mbrojnë versionin e kundërt të tyre. Lidhur me këtë, pa marrë përsipër që të ndajmë opinionin tonë duke u bërë palë me njërin ose tjetrin version të mbrojtur prej tyre, kemi zgjedhur për të botuar pikëpamjet e Enver Hoxhës, si dhe një studim të shkurtër të Mit’hat Frashërit të botuar prej tij në revistën “Diturija” (nr.6 fq.201-210) të vitit 1928 dhe të ribotuar së fundi nga historianët e njohur Sherif Delvina e Luan Malltezi. Vdekja e Haxhi Qamilit Edhe vdekja e tij, sipas shënimeve të gazetarit Blendi Fevziu ishte e veçantë. Kështu pasi u kapën rreth 10-20 vetë, së bashku me Haxhiun, atij i thanë: Ti do ti varësh të gjithë dhe pastaj do ikësh në shtëpi”. Dhe kështu Haxhiu vari në litar ose tel, shokët e tij të ngushtë dhe pastaj kërkoi të ikte. Por më në fund, e ekzekutuan edhe atë vetë. Gjatë periudhës së monizmit nuk mund të merreshin dhe të fryheshin ata që ishin në krye të kryengritjes që ishin imamë, dhe u përzgjodh Haxhi Qamili. Fakti është që ai sot është kthyer në një simbol të një mentaliteti, një mënyre veprimi. Nga kjo pikëpamje është mirë që shërben si një simbol. Mjafton të shfletosh revistat dhe gazetat e kohës deri në vitin 1944, ku nuk gjen në mënyrë absolute asnjë prononcim pozitiv as nga të majtët dhe as nga të djathtët, as nga përfaqësuesit e “vegjëlisë” dhe as nga përfaqësuesit e bejlerëve. Po t’i referohemi dhe periudhës së vetë viteve 1914 dhe 1916, edhe Shqipërisë së stabilizuar të viteve ’20-’30 apo qoftë dhe në kohën e Italisë e kështu me radhë, nuk kemi ndonjë vlerësim për të. Vetëm pas Luftës filloi të ketë një vlerësim. Duhet këmbëngulur që dhe në kohën e monizmit ka pasur historianë që kanë qenë kundër këtij pozitivizmi të kësaj figure groteske. Mund të përmend historianin Skënder Luarasi, djalin e Petro Nini Luarasit, si një patriot dhe figurë e njohur në Shqipërinë e viteve ’60. Ai këmbënguli deri në fund kundër kthimit në hero të Haxhi Qamilit.
“VITI I MBRAPSHTË” I KADRESË PËR VITIN 1914
Ngjarjet e romanit “Viti i mbrapshtë” ndodhin në vitin 1914. Në këtë vit Shqipëria fiton edhe pavarësinë e kufijve. Kështu vendosën Gjemania, Anglia, Austro-Hungaria, Franca, Italia dhe Rusia. Secili prej këtyre shteteve përpiqet ta tërheqë pas vetes kombin e ri. Gjë që shpjegon serinë e aleancave me synime të caktuara, si dhe ushtritë e huaja që ngatërrohen në këmbët e njëratjetrës, por pa u ndeshur mes tyre. Rivaliteti mes serbëve dhe turqëve i ndërlikon edhe më tepër punët. Atëherë emërohet një mbret, një austriak, i cili nuk mund të pranohet nga myslimanët pa u bërë synet. Jemi në zemër të një komedie të përforcuar nga një vodevil i luajtur nga diplomatët e akredituar në Shqipëri. Dhe Ismail Kadareja qesëndis historianët e ardhshëm, kur të tundohen për të vënë rregull në tërë këtë mishmash të pashpjegueshëm dhe të pakuptueshëm, për të mos thënë absurd. Jemi larg luftës së proletariatit kundër imperializmit. Përveç faktit se, nga gjithë kjo histori e ngatërruar, ngrihet zëri modest i fshatarëve të thjeshtë që ndërgjegjësohen për çështjen kombëtare. Të keqarmatosur, të keqkomanduar, ata enden kuturu andejkëndej, diku duke dalë fitimtarë, por duke humbur përfundimisht. Sidoqoftë, nuk ka asnjë dyshim se këta këmbëzbathur shkruajnë, në syrin e Kadaresë, epopenë e vërtetë shqiptare, ku roli i Haxhi Qamilit zë vendin e vet, nëpërmjet traumës që ai krijoi në Shqipëri.
POLITIKANËT PËR HAXHI QAMILIN
Enver Hoxha në studimin e tij mbi atë ngjarje, ka thënë: “Është duke u diskutuar ma keti i Historisë së Shqipërisë, i përpiluar nga historianët tanë me talent, të vjetër dhe të rinj, si Aleks Buda, Stefanaq Pollo etj.. Diskutime janë kurdoherë shumë të mira, shumë të nevojshme, shumë të frytshme. Vetëm shokët duhet të kenë kujdes dhe të mos influencohen ose “intimidohen” nga pseudo-historianët demagogë që përpiqen të mbrojnë të vjetrën, duke veshur gënjeshtrat me petka ultranacionaliste, dhe këtë e bëjnë për të ruajtur tabutë e vjetra dhe të pabaza. Sipas mendimit tim, historianët tanë që kanë përpiluar maketin e Historisë së Shqipërisë, kanë bërë një punë shumë të madhe, shumë të mirë, shumë të lavdërueshme. Ju lumtë atyre. Është e vetmja dhe e para Histori serioze e Shqipërisë. Këta historianë premtojnë shumë dhe me veprat e tyre na nderojnë”.. Pas këtyre fjalëve, Enver Hoxha ndalet gjerë e gjatë duke shpjeguar pikëpamjet e tija lidhur me atë kryengritje, ku midis të tjerash shprehet: “Rebelizmi” i udhëhequr nga Haxhi Qamili, ishte një luftë klase e fshatarësisë së varfër dhe të mesme, kundër klasës së feudalëve, pashallarëve, bejlerëve dhe agallarëve, pronarë tokash e privilegjesh në përgjithësi. Kjo është kryesorja dhe pikërisht kryesorja fshihej në atë kohë. Kryengritja fshatare për të cilën bëhet fjalë, u akuzua pro turke dhe antishqiptare, sepse në të morën pjesë një farë Musa Qazimi dhe Mustafa Ndroqi, turkomanë fanatikë dhe intrigantë, që përdorën çështjen fetare dhe flamurin e Turqisë, jo për t’ia kthyer Shqipërinë Perandorisë Turke, e cila kishte vdekur e s’ngjallej më, por për të frenuar qëllimet ekryengritjes fshatare dhe për të minuar zhvillimin e saj. Këto ishin tentative të feudalëve dhe të elementëve të borgjezisë konservatore, të “memurëve” që fshatarësinë ta mbanin nën sundim dhe ta kishin rezervë të tyre….Pra nuk ishte as çështje e mbrojtjes së qëllimeve tradhtare të Esad Pashë Toptanit, as çështje e mbrojtjes së një farë Perandorie Turke, por ishte një luftë klase, lufta e fshatarëve kundër feudalëve dhe bejlerëve, natyrisht për tokën dhe kur flitet për tokën, flitet për atdheun, Këtë nuk e tund asgjë…”. “Pa bërë analogjinë që bëra më sipër, le të qëndrojmë tash në kohën e sotme. Revizionizmi titist e tradhtari Hrushov, çfarë nuk po thonë për Partinë tonë, na quajnë agjentë të imperialistëve që e shitëm vendin tek të huajt. Absurditete të këtij lloji s’ka nevojë t’i zbulojmë se është lakuriq. Ne tash jemi të rrethuar gjeografikisht si “rebelët” dikur, nga armiq të tërbuar, po ata armiq, por Shqipëria s’është më si në kohën e Haxhi Qamilit. Ajo është një vend socialist që udhëhiqet nga Partia e lavdishme e Punës, populli shqiptar tani ka miq të mëdhenj, të shumtë, sot rrojmë në shekullin e leninizmit. Shqipëria e re e popullit, e Partisë heroike të Punës, ecën përpara kryelartë, në rrugën e lavdishme të historisë së saj. Për arritjen e kësaj rruge kanë kontribuar edhe fshatarët revolucionarë të Shqipërisë së Mesme me Haxhi Qamilin në krye, në kohën e “rebelizmit”. Prandaj neve nuk na falet që pas kaq kohësh, pas kaq luftërash dhe përpjekjesh, pas kaq eksperience të fituar nga populli dhe Partia, me gjak e me djersë, të vazhdojë dhe të njolloset një nga faqet më të ndritura të kryengritjeve fshatare të vendit tonë, të vazhdohet të errësohet nga demagogët dhe injorantët “rebelizmi”
KUJTIMET E MIT’HAT FRASHËRIT
Mit’hat Frashëri e përshkruan kështu Haxhi Qamilin: “Në kohën që kjo tablo e zezë po vizatohesh në shekull të njëzet, një skenë jo më pak çuditërisht dramatike po zhvillohesh në Shqipëri të Mesme: Esadizma mori trup dhe formë nën një trini apokaliptike: Esad Toptani, myftiu Musa Qazimi, Haxhi Qamili, tre krerë të një hidre që përfytyronin ambicionin, tradhtinë dhe lakmimin, fanatizmin e verbër dhe injorante nën maskën e fesë, marrëzinë brutale jo në figurë letrare po reale. Qamili, një katundar nga Sharra meqenëse kishte ndenjur në hekura si i prishur mendsh. Edhe kështu në atë mot Shqipëria u bë dëshmonjëse e një sendi të paparë gjer atëherë: agjentët e Greqisë dhe të Patrikanës të lidhur ngushtë me “fetarin” Musa Qazim; njerëzit që pretendonin se luftonin për din dhe dovlet bashkëpunojnë me çetat destruktore greke; Esadi dhe partizanët e tij të “Sadai Milletit” bëhen vegla të shqehve dhe grekëve. Por një pjesë e esadizmës, fytyrat më shtazore të saj, ato që inauguruan bolshevizmën në Shqipëri me djegie, plaçkitje dhe rrënime, tre vjet më parë se sa të buçasë bolshevizma në Rusi, partia e Haxhi Qamilit dhe e Musa Qazimit, ktheu armët edhe kundër kryetarit dhe inspironjësit të tyre dhe Esadi u bë aq i urrejtur sa edhe shteti, qeveria, rregulla, patriotizma; kaq është e vërtetë se, ay që lot me zjarrin shpesh digjet dhe vetë. Në këtë katastrofë, përpara sulmeve të jashtme dhe të brendshme, mbetur pa një mbështetje morale, përkundrazi e marrë ndërmjet dy zjarreve të dy grupeve rivale të dy pushteteve të mëdha që buçitja e luftës europiane i kishte ngrehur çiltazi kundër njëra-tjetrës, Shqipëria, shteti dhe qeveria, u ndodhën përpara një shkatërrimi fatal: duke kuptuar se sulmet nga çdo anë që vinin kishin për burim kryesor rivalitetet dhe intrigat e Fuqive të Mëdha, qeveria shqiptare u shtrëngua, duke mos gjetur udhë tjetër, të dorëzojë fuqinë te Komisioni Ndërkombiar i Kontrollitemëruar prej pushteteve të mëdha- dhe mbreti të largohet nga Shqipëria. Eshtë e vërtetë se autoriteti efektiv i qeverisë kishte katër muaj që ishte pakësuar dhe kufizuar fort tepër; por mërgimi i saj solli një kaos të vërtetë, një anarki materiale dhe morale: prestigji dhe posibiliteti i punimit të Komisionit të Kontrollit gjendeshin të reduktuar në minimum, në një mënyrë që rebelët “ehli kijami” gjetën fare shesh të lirë në Tiranë, u ndenë në Elbasan dhe Berat; prefekturat e Gjinokastrës dhe Korçës i okupuan zyrtarisht grekët duke i dhanë fund komedisë epirote dhe Italia zbarkoi në Vlorë, duke mos vonuar edhe malazezët me serbët që të zbresin nga veriu. Barka e Shqipërisë kishte mbetur pa komandant, pa timon, pa rema, e lëkundur në një det të shfryrë, e rrahur prej tallazeve të pasionit. Në këto kondita çdo organizim, çdo politikë ishte e pamundur. Populli, rënë në mizerje dhe anarki, po priste ngjarjet në një mënyrë passive, pa zhvilluar dot asnjë vullnet”..