Hasani jep lajmin: Legalizimi i dokumenteve për jashtë vendit brenda 24 orëve

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka bërë të ditur se tashmë legalizimi i dokumenteve apo aspostilimi i tyre realizohet brenda 24 orëve. Sipas Hasanit, të gjitha dokumentet e lëshuara nga administrata shqiptare dhe që janë për destinacion për t’u përdorur jashtë shtetit duhet të jenë të legalizuara dhe tashmë legalizimi i tyre kryhet brenda 24 orëve.

Të gjithë ata që duan të dërgojnë jashtë vendit dokumente i dorëzojnë ato në çdo zyrë poste brenda territorit të Shqipërisë.

Më pas Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme përpunon të gjithë dokumentacionin “për legalizim/ apostilim brenda ditës, i cili merret në dorëzim nga korrierët e postës dhe më pas kryhet shpërndarja e tyre”.

Legalizimi është procedura e njohjes së rregullshmërisë së dokumentit të huaj. Nisur nga kjo procedurë,  diplomatët konsullorë konfirmojnë funksionarin përgjegjës dhe institucionin, përkatësisht duke vërtetuar nënshkrimin dhe vulën.

Më parë autoriteti që lëshon dokumentin duhet të ketë njoftuar personat që kanë të drejtë të lëshojnë dokumente dhe depozituar nënshkrimet e tyre.

Vendet për të cilat nuk kërkohet legalizimi/apostilimi i dokumenteve janë Hungaria, Republika Çeke, Rumania, Rusia, Sllovakia, Bullgaria dhe Kosova, ku pas marrëveshjeve dypalëshe dokumentet pranohen direkt pa pasur nevojë të legalizohen apo apostilohen.

Legalizimi i dokumenteve shqiptare për përdorim jashtë shtetit dhe legalizimi i dokumenteve të huaja për tu paraqitur në autoritetet shqiptare është rregulluar që me VKM-në nr. 134 të vitit 2003, ndërsa tashmë e gjithë procedura do të realizohet brenda 24 orëve.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com