Gjykata Kushtetuese rrëzoi më 27 dhjetor kërkesën e Dhomës së Avokatisë për shfuqizimin e hartës së re gjyqësore.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë kundërshtoi si antikushtetues hartën e re gjyqësore, proces i cili u hap tre muaj pasi u zbatua reduktimi i ndjeshëm i gjykatave, ndodhur nga janari deri në 1 korrik 2023.
Për komunitetin e avokatëve që vitin e kaluar protestuan dhe bojkotuan gjyqet në rang vendi, shkrirja e gjykatave të Apelit duke lënë vetëm në Tiranë dhe eliminimi i gjykatave administrative në dy, një në kryeqytet dhe një në Lushnjë, ka shkelur parimet kushtetuese dhe interesin e qytetarëve.
“Për pretendimin e cenimit të së drejtës së aksesit, VKM-ja nr. 495/2022 ka vlerësuar situatën aktuale dhe ka marrë në konsideratë objektivat, parimet dhe kriteret e përcaktuara në nenet 14 dhe 15 të ligjit nr. 98/2016, si dhe nevojën për vazhdimësinë e shërbimeve gjyqësore, transferimin e personelit dhe organizimin e logjistikës. E drejta e aksesit nuk u mohohet dhe as nuk u kufizohet qytetarëve.
Veprimtaria e vetme që largon deri diku qytetarin nga vendbanimi është seanca gjyqësore, që përgjithësisht ndiqet nga përfaqësuesi ligjor, kurse në raste të tjera prania e palëve nuk është e domosdoshme, pasi një pjesë e madhe e çështjeve, sidomos në gjykatën e apelit, zhvillohen mbi bazën e dokumenteve, pasi juridiksioni rishikues është rikonceptuar vetëm për shkaqet e ngritura në ankim. Harta e re është në përputhje dhe përshtatet me qëllimin e ligjit dhe me nevojën që e ka diktuar atë”, sipas vendimit të “Kushtetueses”.