Ulja e taksave dhe forcimi i klasës së mesme janë prioritete e kandidates demokrate për Shtëpinë e Bardhë, Kamala Harris. E pranishme në tubimin elektoral në Karolinën e Veriut, rivalja më e fortë e Donald Trump foli për sigurinë ekonomike dhe dinjitetin njerëzor.
“Si presidente, unë do të jem e fokusuar në krijimin e mundësive për klasën e mesme që avancojnë sigurinë e tyre ekonomike, stabilitetin dhe dinjitetin. Së bashku, ne do të ndërtojmë atë që unë e quaj një ekonomi mundësish. Një ekonomi mundësish. Një ekonomi ku të gjithë mund të konkurrojnë dhe të kenë një shans real për të pasur sukses”, u shpreh Kamala Harris, Zëvendëspresidente e SHBA.
Janë afro 100 milionë amerikanë, të cilët pritet të përfitojnë nga programi elektoral i Kamala Harris. Ulja e taksave është një prioritet final.
“Sipas planit tim, më shumë se 100 milionë amerikanë do të kenë një ulje të taksave dhe ne do ta bëjmë këtë duke rivendosur dy shkurtime taksash të dizajnuara për të ndihmuar klasën e mesme dhe amerikanët që punojnë, kredinë e tatimit mbi të ardhurat e fituara dhe kredinë tatimore për fëmijët”, tha Harris.
Ekspertët politikë në SHBA besojnë se, agjenda e Harris mund të hasë në rezistencë si nga korporatat ashtu edhe nga Kongresi, i cili hodhi poshtë propozime të ngjashme kur ato erdhën nga Presidenti Joe Biden. Harris, e cila tha se do të zbulonte më shumë detaje të planeve të saj ekonomike në javët në vijim, po synon të krijojë një kontrast me kundërshtarin e saj, republikanin Donald Trump , për vlerat e gjera ekonomike dhe veçanërisht për tarifat dhe taksat.
Ish-presidenti ka propozuar tarifa të reja të përgjithshme mbi importet, një ide që Harris e refuzon. Disa nga politikat Harris, duke përfshirë ato për strehimin, janë etiketuar si populizëm i pamenduar dhe tepër liberal nga republikanët dhe disa grupe të industrisë.
/a.r