Një grua e shoqëruar me një fëmijë hapi zjarr në një kishë të mbushur me njerëz në Teksas para se të qëllohej për vdekje nga siguria. Policia e ka identifikuar atë si Genesse Ivonne Moreno, 36 vjeç, e cila ishte së bashku me të birin 7-vjeçar, i cili u plagos rëndë në shkëmbimin e zjarrit në Houston. Si pasojë e të shtënave, gjithashtu një 57-vjeçar u qëllua me plumb në kofshë.
Hetuesit deklaruan se 36-vjeçarja kishte shkruar “Palestine” në kondakun e pushkës dhe po ashtu kishin zbuluar shkrime antisemite, megjithatë motivi i sulmit është akoma i paqartë. Djali i paidentifikuar i gruas së armatosur u qëllua në kokë gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe aktualisht paraqitet në gjendje të rëndë shëndetësore. Nuk dihet se kush e qëlloi djalin.
Foto: Genesse Ivonne Moreno, 36 vjeç
Policia tha se 36-vjeçarja përdori një pushkë AR-15 për sulmin. Ajo kishte edhe një pushkë të kalibrit 22, por nuk e shkrepi atë armë. Në një konferencë për shtyp, zyrtarët deklaruan se agresorja kishte pasur një histori problemesh të shëndetit mendor dhe ndaj saj ishte vendosur urdhër ndalimi në vitin 2016.
Të dhënat publike tregojnë se Moreno ka gjithashtu një rekord të gjatë arrestimesh dhe dënimesh për akuza për sulm, drogë dhe armë. Policia tha se ekzistojnë dyshime se ajo kishte një mosmarrëveshje me familjen e ish-bashkëshortit të saj, disa prej të cilëve janë hebrenj.
/a.r