Jakup Çotaj, 52 vjeç humbi jetën nga zjarri që përfshiu shtëpinë e tij në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:10 të mëngjesit të sotëm.
Fatmirësisht, bashkëshortja ka arritur të dalë nga banesa pa dëmtime. Në një deklaratë për mediet, njëri nga fqinjët thotë se zjarrfikësja është vonuar rreth 40 minuta.
“Ka dalë e shoqja jashtë për të kërkuar ndihmë, se vetëm unë jam komshi. Duke thirrur e duke bërtitur “hajde se u dogj burri”. E kanë gjetur atje te dera. Kam marrë djalin dhe gruan, jam futur deri në katin e parë te shkallët duke i thirrur. Hyra në kat të dytë, më ka dalë tymi dhe flaka përballë. Erdhi djali me shokun më pas, janë ngjitur deri lart dhe rrezikuan të mbeteshin atje nga tymi. Zbritëm poshtë, mora zorrën, u mundova ta fik. Lajmëroi djali zjarrfikësen, i ka dalë Malësia e Madhe, i ka thënë “ne s’kemi punë me atë punë”. I tha “po digjet shtëpia me njerëz brenda”. Mori policinë, policia i tha “lajmëro zjarrfikëset”. Ka marrë sërish zjarrfikëset e Shkodrës, ata janë vonuar 40 minuta. Erdhën 4 zjarrfikëse, deri në orën 08:00 kanë ndenjur këtu, derisa nxorën kufomën . Ai ishte gjallë e shëndoshë, ne nuk arritëm të bënim atë që duhej”, thotë fqinji.
/a.r