Zëvendësministri i jashtëm Besart Kadia tha në emisionin Now në Euronews Albania se Greqia vijon të jetë një partner strategjik që e ka mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e vet evropian.
Teksa komentoi qëndrimin e Greqisë lidhur me kushtëzimin e integrimit të Shqipërisë me çështjen Beleri, Kadia u shpreh i bindur se kjo çështje do kalojë dhe gjërat do ndryshojnë për mirë në raportet mes dy vendeve.
“Debati qëndron tek e ardhmja e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ne besojmë dhe urojmë që çështja që është lokale të mos kthehet në çështje të rëndësishme në marrëdhëniet bilaterale, që kanë qenë dhe mbeten të rëndësishme për ne si vend strategjik ku ka shumë shqiptarë që jetojnë, kemi marrëveshje dhe shkëmbim ekonomik. Po flisnim disa muaj më parë për të krijuar dhomën e përbashkët Shqipëri-Greqi. Ishin dhe duhet të mbeten në nivel për atë që është e ardhmja e dy vendeve. Çështja Beleri unë mendoj se do kaloj, besoj se në politikë gjërat ndryshojnë. Diplomacia është e vetmja mënyrë që të mos shkosh në konflikt me një vend tjetër. Ne vazhdojmë të themi që është një çështje e pavarur nga sistemi politik”, tha Kadia.