Kryetari i parlamentit grek, Konstantinos Tasoulas është propozuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis për postin e Presidentit të Republikës.
Në një komunikim për mediet, Mitsotakis theksoi të mërkurën se falë aftësive drejtuese dhe unifikuese, Tasoulas gëzon mbështetje të gjerë.
“Pranimi i tij i gjerë rezulton nga fakti se ai u zgjodh tre herë kryetar i Parlamentit grek me shumicën më të fortë në periudhën postkoloniale: me 283, 270 dhe 249 vota,” tha kryeministri duke justifikuar vendimin e tij.
“Greqia kishte nevojë për një politikan me përvojë si kreu i shtetit në një mjedis global “të turbullt” me të cilin përballet vendi,” shtoi Mitsotakis.
Raundi i parë i votimit të presidentit nga parlamenti do të zhvillohet më 25 janar dhe Tasoulas e konsideroi nominimin “një nder dhe përgjegjësi të madhe“.
Në Greqi, posti i kreut të shtetit është kryesisht ceremonial dhe ushtrohet për një mandat pesëvjeçar.
65-vjeçari Tasoulas ka qenë në krye të parlamentit që kur Mitsotakis u zgjodh në vitin 2019 dhe konsiderohet i afërt me krahun nacionalist të partisë konservatore Demokracia e Re.
Me profesion jurist, avokati Tasoulas, baba i dy fëmijëve është “veteran” i kabinetit dhe parlamentit, i zgjedhur për herë të parë si ligjvënës në vitin 2000 dhe që atëherë ka shërbyer si ministër i Kulturës, zëvendësministër i Mbrojtjes dhe sekretar i përgjithshëm i partisë. Ai ishte ligjvënës në kohën kur iu ngrit një padi në vitin 2001 dhe parlamenti refuzoi t’i hiqte imunitetin. Tasoulas i ka quajtur akuzat të motivuara politikisht.
Mitsotakis shprehu gjithashtu mirënjohje për presidenten në largim Katerina Sakellaropoulou për mandatin e saj, duke e vlerësuar atë për humanizimin gjatë presidencës. Megjithatë, ai shtoi se vendi tani kërkon një president me “një histori të gjatë shërbimi publik dhe atribute të qarta politike”.
Zgjedhja e Presidentit
Qeveria e kryesuar nga Mitsotakis ka 155 ligjvënës në dhomën me 300 vende, të mjaftueshme për të siguruar zgjedhjen e Tasoulas, edhe pse jo në raundin e parë.
Një emërim presidencial kërkon mbështetjen e 200 ligjvënësve për të kaluar në raundin e parë, me pragun që zvogëlohet gradualisht në një shumicë të thjeshtë në raundin e pestë.