Grabitja e miliona eurove në Rinas, Gjykata e Posaçme dënon me 18 vite burg Talo Çelën

Gjykata e Posaçme këtë të enjte ka marrë vendim për të dënuar me 18 vite burg në mungesë, të shumëkërkuarin e drejtësisë, Talo Çela.

Çela u fajësua për grabitjen e miliona eurove në vitin 2019, nga avioni që do të transportonte valutat drejt Austrisë në aeroportin e Rinasit.

Talo Çela u gjykua i vetëm në këtë çështje, ndërsa për të akuzuarit e tjerë të grabitjes në Rinas ka përfunduar gjykimi edhe në Apel.

Çela u gjykua në mungesë, pasi masa e sigurisë “arrest në burg” e dhënë ndaj tij nuk është ekzekutuar nga policia, që ka dështuar në disa aksione radhazi për ta vënë në pranga.

Talo Çela është një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, i cili u shpall në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Plumbi i Artë”, që çoi në arrestimin e Nuredin Dumanit.

Për grabitjen në Aeroportin e Rinasit në vitin 2019, Gjykata e Posaçme në tetor të vitit të kaluar dënoi me 122 vite burg 7 të pandehurit e grupit kriminal.

Respektivisht, Klement Çala u dënua me 20 vite, ndërsa gjashtë të tjerët Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala me nga 17 vite burg.

Sakaq, përveç kësaj çështjeje Çela është shpallur në kërkim edhe si një nga të akuzuarit e dosjes “Çopja”, pas dyshimeve për përfshirje të tij në disa ngjarje të rënda kriminale.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com