Gonxhja: Stadiumi “Selman Stërmasi” do të jetë një pol zhvillimi për qendrën e Tiranës

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka qenë i pranishëm ditën e sotme në prezantimin e programit “Urat e reja për Shqipërinë 2030” për programin e zhvillimit të pronave publike.

Në fjalën e tij ministri Gonxhja foli edhe për projektin për ndërtimin e stadiumit “Selman Stërmasi”, ku u shpreh se ky stadium do të jetë edhe një pol i jashtëzakonshëm zhvillimi në zemër të Tiranës.

Ministri u shpreh se stadiumi “Selman Stërmasi” nuk është projekti i vetëm, teksa përmendi edhe projekte të tjera që pritet të zhvillohen.

Blendi Gonxhja: Ka kaluar shumë kohë nga koha kur të burgosurit politik 70 vite më parë punuan si skllevër për të ngritur një stadium me standarde sovjetike, ish-Dinamo, sot Selman Stërmasi. Ai projekt nuk ka pasur limit. Kompleksi u ngrit në përputhje me standardet e qendrës stërvitore të PSG. Nga viti 2000 e deri më sot ka pasur shumë ide për rinovimin e tij. Më vjen mirë që jemi këtu për t’i dhënë një drejtim të ardhmes së Selmanit. Kalojmë kështu në një projekt të stadiumit të ri, modern. Nuk do të jetë Wembley, as San Siro për shkak të hapësirës, por do të jetë edhe një pol i jashtëzakonshëm zhvillimi në zemër të Tiranës. Përsëritja e historisë së suksesit të ‘Air Albania-s’ apo ‘Qemal Stafës’ do të sjellë një zhvillim të jashtëzakonshëm për të gjithë zonën edhe gjenerimin ekonomik si dhe punësimin.

E nisa fjalën me Selman Stermasin, por nuk është i vetëm. Në total janë 22 institucione dhe mbi 10 mijë punonjës shtetëror që do të gjejnë strehim në megakompleksin në kryeqytet. Natyrisht se si portofol është pjesë e pandashme e vizionit tonë të Shqipërisë 2030.

Projekti tjetër ai i parkut Durana është një projekt ambicioz për të shndërruar Shqipërinë në një lider në rajon në shumë funksione nga fizike dhe ato në operativitet virtual. Projekt i mbështetur direkt mga MEKI që në 2024. Përpos transformimit të marrëdhënies qytetare koorporata në këtë rast po ia del me ndreqjen e menaxhimit të pronës publike. Trashëguam një vend me mbi 400 mijë objekte të ngritura pa leje, 350 mijë parcela si një rezultat i fragmentarizmit të çmendur që ndodhi në bujqësi dhe në raport me pronën. U gjendëm përpara një situate kolapsi me prona të pakufizuara, me prona që ekzistonin vetëm në letër apo vetëm në natyrë. U gjendëm në një situatë që largonte çdo investitor. Të gjitha këto problema janë futur në rrugën e zgjidhjes me reformat e zbatuara nga qeveria jonë ndër vite.

E fundit nga çështjet që pret zgjidhje është ajo e pronave publike të amortizuara. Sot janë vendosur në funksion të interesit publik me konkurse publike që nxisin konkurencë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com