Goditi me dosje këshilltarin e majtë për çmimin e ujit, procedohet penalisht 68-vjeçari

68-vjeçari me iniciale A.M. është proceduar penalisht pasi goditi me dosje anëtarin e majtë të këshillit bashkiak të Elbasanit. Ai akuzohet për veprat penale “kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik” dhe “prishja e qetësisë publike”.

“Komisariati i Policisë Elbasan referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 68 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”, pasi ditën e djeshme, në ambientet e një salle ku po zhvillohej mbledhja e këshillit bashkiak, ka prishur qetësinë në sallë duke folur me zë të lartë dhe ka goditur me disa sende, anëtarin e këshillit bashkiak, shtetasin L. R.”, njofton policia.

Mbledhja e ditës së djeshme të këshillit bashkiak në Elbasan është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike dhe shkak për këtë është bërë vendimi për rritjen me 40% e çmimit të ujit të pijshëm. Një grup qytetarësh në shenjë mospranimi të këtij vendimi kanë qëlluar me sende të ndryshme këshilltarët e majtë.

Sipas qytetarëve, vendimi për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm prek drejtpërsëdrejti shtresat në nevojë, ndaj dhe kërkuan anulimin e këtij vendimi. Në mbështetje të qytetarëve ishin edhe këshilltarët e djathtë, të cilët deklaruan se do e çojnë çështjen në SPAK.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com