Gazetari Artan Hoxha vë në dyshim hetimin e kryer nga Prokuroria e Tiranës, që akuzon gjyqtaren Arnisa Këlliçi për kallëzim të rremë, pasi denoncoi se kishte marrë kërcënime.
Sipas Hoxhës, hetimi nuk duhej të bëhej nga Prokuroria e Tiranës, pasi kjo e fundit bie në konflikt interesi me çështjen. I ftuar në “Top Talk”, Hoxha tregoi se që në fillim, Këlliçi ishte shprehur se hetimi po bëhej në mënyrë tendencioze.
“Është një çështje që të bën të ndihesh keq. Pati një kallëzim në fillim nga kancelari i gjykatës dhe më pas nga gjyqtarja. U morën masa, gjyqtarja dhe familja u vunë në mbrojtje. Gjyqtarja kërkoi që hetimi të mos bëhej nga Prokuroria e Tiranës. Sot shkoi në Durrës.
Gjyqtarja pretendonte se hetimi që në fillim ishte tendencioz, që nga mënyra si u mor në pyetje. Hetimin s’mund ta bëjë Tirana sepse ka konflikt interesi”.
Sipas gazetarit, gjyqtarja ka marrë edhe telefonata kërcënuese, të cilat janë regjistruar.
“Kallëzimi nuk është bërë vetëm për letrën, është bërë për shkak të kallëzimet të bëra me telefon. Dhe telefonatat janë të regjistruara. Në fillim, u tha që nuk dihet si ka hyrë letra brenda. Ndërkohë, sot Prokuroria thotë se e ka shkruar gjyqtarja, si e hetuan. Si e zbuluan. Çfarë u bë me telefonatat. Prandaj me hetimin duhet të merrej një organ jashtë kryeqytetit”.
Ndërkohë, pak minuta më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor pezulloi nga detyra gjyqtaren Arinsa Këlliçi, e cila nga denoncuese, u kthye në subjekt hetimi që i kushtoi vendin e punës.
Më 20 janar emri i gjyqtares së gjykatës së Tiranës, Arnisa Këlliçi iu shtua listës së njerëzve të drejtësisë që merren në mbrojtje pas kërcënimeve, por hetimet e prokurorisë së Tiranës zbuluan se gjyqtarja në fjalë e ka sajuar të gjithë ngjarjen./m.j