“Gjykata ka kryer detyrën e saj”/ Rama nga Italia: Marrëveshja për emigrantët nuk ka asgjë antikushtetuese

Kryeministi Edi Rama ndodhet sot në Romë, ku po mbahet Kongresi i “Frateli d’italia”.

Gjatë fjalës së tij, Rama është ndalur tek marrëveshja për emigrantët, e firmosur me homologen e tij Giorgia Meloni, e cila ndodhej në publik, duke e ndjekur fjalën e tij nga afër. Teksa përsëriti se për Shqipërinë është nder të ndihmojë Italinë, Rama tha se nuk ka asgjë antikushtetuese në këtë marrëveshje, referuar padisë së PD, që e çoi aktin në Gjykatën Kushtetuese.

“Besoj se është bërë një zhurmë jo proporcionale për historinë e kësaj marrëveshjeje, gjë që është shumë e natyrshme. Askush nuk duhet të habitet apo të trembet kur ne bëjmë marrëveshje të mirëkuptimit dhe përfitimit të përbashkët. Është gjithmonë një nder të japësh dorën kur ta kërkon Italia dhe do të jetë gjithmonë një privilegj të konsiderohemi mik i veçantë i Italisë, duhet të bëjmë gjithçka për të qenë vëllau i Italisë.

Gjykata Kushtetuese shqiptare ka kryer detyrën e saj, pasi sipas Kushtetutës është automatike pezullimi i një marrëveshjeje për ta marrë në konsideratë para ratifikimit nga Parlamenti. Kjo është një provë që unë nuk i kontrolloj gjykatat në Shqipëri. Kam besim, sepse marrëveshja nuk ka asgjë antikushtetuese. Deri në mars është afati kohor, por mendoj se vendimi do të merret shumë më herët sepse është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe të dyja qeveritë duhet të dinë nëse mund të vazhdojnë apo jo. Kemi pasur kërkesa të tjera nga vendet europiane për të pranuar emigrantë, por ne u thamë jo”, tha Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com