Gjendje e jashtëzakonshme në rajonin rus! Sulmet ukrainase “frikësojnë” Rusinë

Guvernatori i rajonit Kursk të Rusisë, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën, shpalli gjendje të jashtëzakonshme të mërkurën, pas një ofensivë të gjerë tokësore të Ukrainës, e cila përfshin tanke, autoblinda dhe artileri, sipas Rusisë.

“Për t’i shmangur pasojat e forcave të armikut që po vijnë në rajon, mora vendim për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme në rajonin Kurks nga 7 gushti”, tha guvernatori Aleksei Smirnov në Telegram.
Më herët, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e akuzoi Kievin se i sulmoi me raketa ndërtesat civile dhe të banimit në rajonin kufitar rus, Kursk, pas raportimeve nga blogerët rusë pro luftës se një numër fshatrash ruse janë pushtuar nga forcat ukrainase.

Duke folur gjatë një takimi qeveritar më 7 gusht, Putini e quajti operacionin ushtarak “provokim i madh”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Rusisë, gjenerali Valery Gerasimov, i tha Putinit se forcat ruse e ndaluan përparimin e forcave ukrainase që përbëheshin nga rreth 1.000 ushtarë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një video të postuar të mërkurën mbrëma e falënderoi ushtrinë ukrainase, duke i veçuar trupat përgjatë vijës së frontit në zonat Pokrovsk, Toretsk, Liman dhe Harkiv, si dhe “kudo që po vazhdon mbrojtja jonë kundër ofensivave”.

Zelensky nuk e përmendi Kurskun, po tha se është e rëndësishme të vazhdojë shkatërrimi i armikut “tamam me saktësinë që ushtarët tanë e dinë dhe po me aq efikasitet që jep rezultat”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com