Gjendet në Abu Dhabi trupi i rabinit izraelit, reagon Izraeli: Sulm antisemitik, nuk do të mbetet pa u ndëshkuar

Trupi i një rabini izraelito-moldavian i zhdukur që nga e enjtja është gjetur në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo është bërë e ditur nga Izraeli i cili beson se kjo është ishte një vrasje dhe një episod i “terrorizmit antisemitik”, ndërsa premton se do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të sjellë vrasësit para drejtësisë.

Bëhet fjalë për rabinin Zvi Kogan, i cili ka qenë në Abu Dhabi që kur Izraeli normalizoi lidhjet me Emiratet e Bashkuara Arabe në fund të vitit 2020. Kogan ishte gjithashtu i lidhur me rabinin Gavriel Holtzberg, i cili u vra së bashku me gruan e tij në një sulm terrorist në Nariman Chabad House në Mumbai në 2008.

Presidenti izraelit Isaac Herzog e ka cilësuar vrasjen e tij një sulm i poshtër antisemitik.

“Ky sulm i poshtër antisemitik na kujton çnjerëzimin e armiqve të popullit hebre. Kjo nuk do të na ndalojë të vazhdojmë të rrisim komunitetin në Emiratet e Bashkuara Arabe ose gjetkë”, shkruan presidenti izraelit Isaac Herzog në X, duke falënderuar gjithashtu Emiratet e Bashkuara Arabe për “veprimin e tyre të shpejtë” dhe thotë se është i bindur se do të bëjnë gjithçka që munden për t’i sjellë vrasësit para drejtësisë.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se vrasja e rabinit Zvi Kogan në Emiratet e Bashkuara Arabe ishte një “krim terrorist, antisemitik, frikacak dhe i neveritshëm dhe që nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

“Shteti i Izraelit nuk do të ndalet ose do të heshtë derisa përgjegjësit e këtij akti kriminal të paguajnë për veprimet e tyre”, theksoi ai në një deklaratë të raportuar nga Times of Israel.

Ndërkaq Izraeli përsërit se nuk rekomandohet udhëtimi jo thelbësor në Emiratet e bashkuara Arabe për shkak të kërcënimit të Izraelit dhe hebrenjve në vend.

“Shmangni vizitat e bizneseve, vendeve të grumbullimit dhe vendeve argëtuese të identifikuara me popullsinë izraelite dhe hebreje. Mbani vigjilencë të shtuar në vende publike (duke përfshirë restorante, hotele, bare, etj.). Shmangni shfaqjen e simboleve izraelite. Bashkëpunoni me forcat lokale të sigurisë, ndiqni udhëzimet e tyre dhe raportoni menjëherë nëse jeni ekspozuar ndaj aktivitetit terrorist”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit.

Udhëtarët gjithashtu këshillohen të shmangin postimet në mediat sociale dhe të bllokojnë profilet e tyre në internet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com