Ekspertja italiane, Anna Vagli ka analizuar gjuhën joverbale të Chiara Ferrganit në intervistën e saj të fundit, ku thotë se në shumë gjëra mund të mos jetë treguar e sinqertë. Këtu ju referua mënyrës sesi ajo reagonte dhe fliste për krizën me Fedez, apo skandalin e bamirësive dhe veshja që kishte përzgjedhur.
“Influencuesja nuk ishte shumë fort e sinqertë në intervistën e saj të fundit nga pikëpamja e gjuhës së trupit. Kjo gjë u vu re kur iu referua Fedez-it: “Nuk është se kemi ura të mbyllura”. Në atë moment ajo mbylli sytë, që në analizën e gjuhës së trupit do të thotë se po thotë diçka që nuk është e vërtetë. Gjithmonë kur flet për Fedez-in, në fund thotë “kështu që nuk e di” (duke iu referuar faktit se nuk e di si do të përfundojë). Këtu ajo mbledh supet, ul disa herë shikimin dhe tërhiqet, duke krijuar atë që ne profesionistët e quajmë mospërputhje. Me trupin tregon se nuk u beson fjalëve që thotë. Një tregues është edhe toni i ulët i zërit teksa flet për të. Kur filloi të fliste për skandalin e bamirësive mbylli sërish sytë. Të bën të mendosh se ajo në fakt e dinte se në çdo rast do të kishte një plan që do t’i çonte njerëzit të blinin dhe që do të bënte shumë para. Interesante është edhe ana e veshjes dhe e grimit. Jo bizhuteri luksoze në dukje, por një gjerdan që ndoshta portretizon fëmijët e saj. Nga pikëpamja e komunikimit, bie në sy fakti se ajo zgjodhi të mos vishte asgjë që i atribuohet markës së saj. Zgjodhi ngjyrën e zezë me qëllim që të projektohej maturia dhe serioziteti i saj. Ndërprerjet e vazhdueshme ndaj Fazios tregojnë se sa e etur ishte dhe sa shumë donte të thoshte atë që kishte përgatitur në mendje”, tha ajo.