Gati për atentat? Koçi i Arramerasit lëvizte me makinë pa targa në Himarë. Kishte vetëm 27 ditë që doli nga burgu

Policia e Vlorës ka arrestuar Arben Koçin, një person me tendencë kriminale, i cili në momentin e arrestimit ndodhej me dy persona të tjerë në një automjet pa targa.

Koçi kishte vetëm 27 ditë që ishte liruar nga burgu dhe vendosur në masën e sigurimit “arrest shtëpie” pasi ishte arrestuar në Tiranë në 13 dhjetor 2023 për mbajtje pa lejë të armëve.

Por edhe këtë masë e ka thyer, duke dalë nga arresti i shtëpisë dhe shkuar në Piqerras të Himarës.

“Ora News” ka mësuar se Arben Koçi, nga Arramerasi i Fushë-Krujës fillimisht është arrestuar nga policia e Vlorës pas dyshimeve se ai kishte mbërritur në Piqeras të Himarës për të kryer një krim kundër personit.

Sipas burimeve të policisë së Vlorës, Koçi dhe dy personat e tjerë qëndronin në një automjet pa targa në pritje të ardhjes së një personi tjetër. Gjatë neutralizimit të personave policia nuk ka gjetur armë.

Por Koçi, është arrestuar pasi gjatë verifikimeve ka rezultuar se ai duhet të ishte në “arrest shtëpie” dhe jo në rrugët e Piqerras të Himarës.

Koçi kishte thyer masën e sigurimit “arrest në shtëpi” të vendosur nga gjykata e Tiranës për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe Municionit” si dhe “Drejtimit të mjetit pa patentë”.

Tashmë prokuroria e Tiranës, shtoi dhe një akuzë tjetër atë të “Largimit nga vendi i qëndrimit të caktuar nga gjykata”.

Për të treja akuzat 40-vjeçari Arben Koçi, sot doli para gjykatës së Tiranës, e cila vendosi të revokojë vendimin e mëparshëm të “arrestit shtëpiak” dhe të caktojë masën e sigurisë “Arrest në Burg”./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com