Gara presidenciale në SHBA, republikanët dhe demokratët marrin masa paraprake për të shmangur parregullsitë zgjedhore

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe shumë nga mbështetësit e tij pretendojnë, pa prova, se zgjedhjet e vitit 2020 u vodhën dhe paralajmërojnë se e njëjta gjë mund të ndodhë në zgjedhjet e nëntorit të këtij viti.

Siç njofton nga Miçigani korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara, zyrtarët demokratë dhe republikanë të zgjedhjeve në Miçigan i kundërshtojnë këto pretendime dhe po punojnë për të siguruar amerikanët se votat e tyre do të jenë të sigurta.

Në ditën e zgjedhjeve të vitit 2020 në Detroit të Miçiganit, mbështetësit e republikanit Donald Trump, të nxitur nga pretendimet e tij të pabaza për manipulim votash, kërkuan nga zyrtarët e zgjedhjeve që të ndalonin numërimin e votave.

Shumë mbështetës të zotit Trump në Miçigan janë të shqetësuar nga mundësia e manipulimeve në zgjedhjet e ardhshme.

“Tani, mund të keni dyshime për gjithçka në lidhje me qeverinë tonë. Nuk do të dëshiroja të shprehesha kështu, por Amerika nuk ndihet ndryshe. Ne nuk i besojmë askujt”, thotë mbështetësi i zotit Trump, Marvin Minton.

“Mjafton një rast për të vënë në dyshim të gjithë sistemin”, thotë Angelica Kandow, mbështetëse e zotit Trump.

Pretendimet se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar janë hedhur poshtë nga gjykatat amerikane.

Por dezinformimi rreth integritetit të zgjedhjeve ka gjetur mbështetje mes republikanëve. Sondazhet tregojnë se ata kanë më shumë gjasa t’i besojnë zotit Trump sesa rezultatit të zgjedhjeve të certifikuara nga qeveria.

Zyrtarët në shtetet e pavendosura po punojnë për të siguruar votuesit se procesi zgjedhor është i sigurt. Ata thonë se dezinformimi mund të jetë i rrezikshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com