Funari, 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit, është kthyer vitet e fundit në destinacionin e të apasionuarve pas sporteve të aventurës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga liqeni i Funarit i mbushur me kanore.
“Në Funar të Elbasanit krahas bukurisë së natyrës, po merr jetë edhe një tjetër lloj atraksioni, sportet e aventurës”, shkruan Rama krahas fotove nga ky liqen.
Rama tha se hiking e kanoe, janë sportet e aventurës që po rrëmbejnë vëmendjen e qindra turistëve vendas e të huaj gati për të përjetuar adrenalinën dhe energjine e këtyre sporteve.
Në Funar, veç bukurive që ofron natyra mund të ushtrohen sportet e aventurës si parashutizmi, kajake në liqen, hipizëm, çiklizëm malor, ecje dhe ngjitje në shtigjet malore.
Po ashtu, gjatë vitit të kaluar ka nisur puna edhe për pistën e parashutizmit, hapjen e 75 km shtigje malore, si dhe ndërtimin e pikës së informimit të vizitorëve.
Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë, ku dy ndodhen brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.
Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin tri orë për rrugën që sot mund ta përshkosh për 1 orë.
E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën.
Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit.
/a.r