Një 31-vjeçar është vënë në pranga pasi fshihte në banesë armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Mësohet se është arrestuar A. G. banues në Sarandë, e ndërsa është vënë në hetim një 15-vjeçar, për moskallëzim të këtij rasti të armëmbajtjes pa leje.
Arrestimi i 31-vjeçarit u bë në kuadër të operacionit “Gracka”, teksa është sekuestruar arma e zjarrit, 3 krehra dhe fishekë luftarak.
“Sarandë/Vijojnë kontrollet dhe puna e inteligjencës policore, për të garantuar sundimin e ligjit në territor. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Gracka”. Fshihte në banesë armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 31-vjeçari.
Procedohet penalisht një 15-vjeçar, për moskallëzim të këtij rasti të armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohen arma e zjarrit, 3 krehra dhe fishekë luftarak. Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore, të siguruar në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për një rast të armëmbajtjes pa leje, në një banesë në fshatin Çukë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë finalizuan operacionin policor të koduar “Gracka”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. G., 31 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 15 vjeç. Nga kontrolli në banesën e 31-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura, 1 armë zjarri kallashnikov, 3 krehra dhe fishekë luftarak. Ndërkaq, i mituri u procedua penalisht pasi dyshohet se ishte në dijeni se shtetasi A. G. fshihte armë zjarri dhe nuk kishte kallëzuar krimin. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
/a.r