Policia e Lezhës ndaloi një rast të shitjes së ilaçeve farmaceutike mes makaronave dhe produkteve të tjera ushqimore. Në pranga vu pronari i 2 prej bizneseve, shtetasi Aleks Dokaj, 34 vjeç, banues në Lezhë, “pasi kishte fshehur në ambientet e farmacisë dhe në raftet me produkte ushqimore, në magazinën e një marketi, 300 kuti me ilaçe, një pjesë e të cilave nuk kishte elementin e autenticitetit në ambalazhe, ndërsa pjesa tjetër nuk kishte pullën e Agjencisë Shtetërore të Barnave” informoi sot policia e Lezhës.
Ilaçet e ndaluara ishin me vlerë 10 000 euro. Po kështu u procedua penalisht administratori i një kompanie farmaceutike, shtetasi Sokol. I., 52 vjeç, banues në Durrës, pasi në automjetin në pronësi të kësaj kompanie, u gjetën 200 artikuj ortopedikë dhe aksesorë parafarmaceutikë, pa elementin e autenticitetit në ambalazhe dhe pa fatura tatimore. Operacioni policor u kodua “Antidote”. Policia sekuestroi si provë materiale, 300 kutitë me ilaçe dhe 200 artikujt.