Rusia nuk heq dorë nga provokimet ndaj shteteve evropiane, këtë herë duke tentuar të ndryshojë në mënyrë të njëanshme kufirin me Estoninë.
Vetëm një ditë pasi Kremlini u tërhoq nga një propozim për ndryshimin e njëanshëm të kufijve me Estoninë dhe Finlandën, një tjetër provokim shqetësues ka shkaktuar tension.
Natën e kaluar, rojet rusë të kufirit kanë hequr bovat që përcaktojnë kufirin midis Rusisë dhe Estonisë në lumin Narva.
Veprimi është parë si një provokim i rëndë nga liderat e BE-së, të cilët i kanë bërë thirrje Rusisë të tërhiqet.
“Ky incident kufitar është pjesë e një modeli më të gjerë veprimesh hibride nga Rusia, duke përfshirë kufijtë e saj detarë dhe tokësorë në rajonin e Detit Baltik”, tha në një deklaratë të premten kryediplomati i BE-së Josep Borrell.
“Bashkimi Evropian pret një shpjegim nga Rusia për heqjen e bovave dhe kthimin e menjëhershëm të tyre”, tha ai. Rusia ende nuk ka komentuar publikisht mbi këtë veprim.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe kreu i NATO, Jens Stoltenberg, i cili thotë se ka komunikuar me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas.
“NATO qëndron në solidaritet me aleatin tonë Estoninë kundër çdo kërcënimi ndaj sovranitetit të tyre”, ka deklaruar ai./m.j