Frikë për përshkallëzim të tensioneve në Ballkan, komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Komandanti suprem i Forcave të NATO-s për Evropën dhe komandanti i Komandës Evropiane të Ushtrisë Amerikane, Christopher Cavoli, tha se NATO ka marrë vendim për shtimin e forcave rezervë në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe EUFOR-Altea në Bosnje dhe Hercegovinë, raporton Kosova Press.

Në një seancë dëgjimore para Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit të SHBA më 11 prill, ai tha se së paku dy misione të fokusuara janë nisur me qëllim të mbledhjes së më shumë informacioneve dhe kuptimit më të mirë të ngjarjeve në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.

“Pasi kemi bërë auditimin e plotë të KFOR-it, kemi arritur në përfundimin se na duhen jo vetëm më shumë forca, por edhe forca më të forta. Ky proces është në vazhdim. Ne do të sjellim më shumë pajisje të rënda në terren, si dhe më shumë njerëz”, tha ai.

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai vuri në dukje se aktivitetet e Rusisë për të nxitur tensionet mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve etnikë kanë për qëllim dobësimin e vendit dhe parandalimin e thellimit të lidhjeve me BE-në dhe NATO-n.

“Politika etno-nacionaliste e pengon Bosnjën dhe Hercegovinën të miratojë reformat e nevojshme politike, ligjore dhe ekonomike që do të çonin përpara integrimin e saj euroatlantik,” vuri në dukje gjenerali amerikan.

Ai shtoi se Republika Serbe po përpiqet të dobësojë fuqinë shtetërore dhe marrëdhëniet e BeH me BE dhe NATO, duke mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com