Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i arrestuar dhe i akuzuar për blerje votash, foli nga burgu për radion greke “Skai 100.3”, ku the se sundimi i ligjit në Shqipëri nuk funksionon.
Beleri bëri të ditur se më 4 Dhjetor do të vendoset nga gjykata nëse do të lejohet të betohet si kryebashkiak i Himarës ose jo.
“Sundimi i ligjit në Shqipëri nuk funksionon. Ligji është i qartë. Kur dikush nuk është dënuar dhe vendimi nuk ka marrë formë të prerë, kryetari mund të betohet. Opozita nuk mund të kryejë detyrat e saj në Parlament. Po bëhet gjueti shtrigash nga qeveria shqiptare. Kushdo që nuk pëlqehet nga Rama, përsekutohet në çdo kohë. Nuk ka barazi”, u shpreh Fredi Beleri për median greke.
Fredi Beleri pretendoi sërish se është i pafajshëm.
Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës akuzohet nga drejtësia për blerje votash dhe për këtë akuzë u vu në pranga para zgjedhjeve lokale të 14 majit.