Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar votuesit që të mos zgjedhin të djathtën ose të majtën ekstreme, pasi sipas tij me politikat e tyre përçarëse dy fraksionet politike mund ta çojnë vendin drejt luftës civile.
Në prag të zgjedhjeve të së dielës, Macron tha se si Bashkimi Kombëtar edhe Franca e Pathyeshme u japin zgjidhje negative problemeve reale, pasi përgjigjen në mënyra që rrisin tensionet dhe luftën civile.
Lideri francez shpalli zgjedhjet e parakohshme pas humbjes së partisë së tij të qendrës në zgjedhjet euro-parlamentare të mbajtura më herët gjatë muajit. Tani, qytetarët do të hedhin votën në kuti në dy raunde, përkatësisht më 30 qershor dhe 7 korrik.
“Kur gjithçka të vjen në majë të hundës, kur jeta e përditshme vështirësohet, atëherë mund të tundohesh nga ekstremistët që kanë zgjidhje të shpejta. Por këto zgjidhje nuk duhet të bazohen tek refuzimi i të tjerëve”, tha Macron.
Ai theksoi se politikat e Bashkimit Kombëtar, të detajuara nga kryetari i partisë Jordan Bardella ditën e hënë, do të çojnë në një luftë civile pasi janë programe që varfërojnë qytetarët.
“Bëhet fjalë për mijëra euro në taksa të fshehura që aplikohen çdo ditë dhe pamundësinë për të paguar pensionet dhe gjithashtu punëtorët”, sqaroi Macron.
Ndërkohë, e majta ekstreme e Franca e Pathyeshme, vijoi presidenti francez, inkurajon tensionet mes komuniteteve për përfitime elektorale. “Edhe kjo do të thotë luftë civile pasi i tkurr njerëzit në grupet e tyre fetare dhe etnike”, u shpreh Macron.
Sondazhet tregojnë se rezultati i zgjedhjeve të parakohshme është i paqartë, për shkak të sistemit kompleks të votimit dhe aleancave të mundshme. Vetë Macron është rreshtuar kundër ekstremistëve të Bashkimit Kombëtar dhe Frontit të Ri Popullor, një koalicion partish të majtë që përfshin Francën e Pathyeshme./m.j