Mediet e huaja kanë publikuar detaje të reja, si dhe kanë identifikuar shqiptarin, për të cilin u tha se kreu vetëvrasje në “anijen hotel”, ku po qëndronte në Angli.
“Daily Telegraph” shkuan se bëhet fjalë për 27- vjeçarin nga Manëza e Durrësit, Leonard Farruku. Në shkrim thuhet se në bisedën e fundit me të afërmit, i riu kishte thënë se kushtet në anijet hotel ishin të mira por rojet e sigurisë i trajtonin emigrantët si kafshë.
Ndërkohë, motra e Leonardit e cila jeton në Itali ka deklaruar se “do të gjejë qetësinë vetëm atherë kur të mësojë të vërtetën se çfarë ndodhi atë natë me vëllanë në anijen hotel Bibby Stockholm”.
Sipas saj ai mbërriti në Angli me ëndrrën për një punë më të mirë dhe më e rëndësishmja të fitonte leje qëndrimi përgjithmonë në Mbretërinë e Bashkuar.
Për këtë ai iu bind kërkesës së “Home Office” për t’u vendosur në atë anije.
Kjo anije hotel u mor me qira nga qeveria angleze për të ulur koston ditore prej 8 milion sterlinash të azilantëve të mbërritur gjatë dy viteve të fundit në Angli me gomone, mes tyre 12.800 shtetas shqiptarë.