Kryetari i PD-së është bërë sërish protagonist me postimet e tij në rrjetet sociale, që rezultojnë të jenë një mashtrim i rëndomtë me projektet e infrastrukturës ne vend.
Pasi i ka anatemuar me të gjitha format dhe mjetet e komunikimit projektet e mëdha të dorëzuara muajt e fundit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si Tuneli i Llogarasë dhe aksi Thumanë – Kashar, tashmë Berisha është rikthyer të denoncojë me “fakte dhe video” vepra konkrete të infrastrukturës.
Në faqen e tij ne Facebook, Berisha poston një video të një ure të cilës i është shembur një prej këmbëve dhe postimin e shoqëron me tekstin: “Kjo urë quhet “Ura Rilindja”! Sapo hyri në përdorim u shemb! Vjedhje, vjedhje në çdo gjë vjedhje! #sb”.
Problemi është se kjo urë nuk gjendet fare ne Shqipëri dhe nga një kërkim i thjeshtë në internet rezulton se fotoja, që më pas është bërë video prej kreut të PD, është publikuar nga faqja Civil Engieering Discoveries, një faqe e specializuar në çështjet e inxhinierisë.
Kjo faqe në maj të vitit 2018 ka postuar një grup prej 27 fotosh të urave me kollona të dëmtuara, nga e gjithë bota, në të cilën ndodhet edhe ura e denoncuar nga Berisha, por që nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë.
Mashtrimin këtë radhë është zbuluar edhe nga shumë prej komentuesve të cilët evidentojnë se foto nuk i përket asnjë prej urave në Shqipëri. Por duket e vështirë që Doktori të reflektojë edhe pse ‘kapet’ në flagrancë duke mashtruar, dhe kjo nuk është hera e parë.