Fondacioni i njohur gjerman: Shqipëria, rezultate mbresëlënëse në qeverisje, kryesisht në luftën antikorrupsion

Shqipëria po tregon progres të dukshëm në demokraci dhe qeverisje, veçanërisht në lidhje me përmirësimet e shtetit të së drejtës. Ky është konstatimi i Fondacionit Bertelsmann teksa drejtoresha e këtij të fundit, Daniela Schwarzer ka zbardhur takimin me ministren shqiptare Adea Pirdeni.

Në një njoftim për mediat, ajo thekson se reforma në drejtësi dhe përfundimi me sukses i procesit të vetingut janë arritje të mëdha dhe vendimtare për luftimin e korrupsionit në gjyqësor.

“Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët u shqyrtuan për shpërdorim detyre dhe lidhje me organizata kriminale. Struktura e Specializuar për Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po heton dhe ndjek me sukses rastet kundër korrupsionit, duke përfshirë politikanë të nivelit të lartë dhe incidente që përfshijnë mbrojtjen e interesave financiare të BE-së” – thotë drejtoresha e fondacionit gjerman.

Schwarzer shton se “pozicioni i ministers për Administratën Publike dhe Luftën kundër Korrupsionit u krijua në janar të këtij viti në Shqipëri, si një theksim i qartë i prioriteteve të politikave, duke përfshirë shtytjen për meritokraci në administratën publike dhe rritjen e promovimit të masave kundër korrupsionit”.

Duke u ndalur te hapja e të gjithë kapitujve në procesin e anëtarësimit në BE, Schwarzer shprehet se kjo është një njohje e arritjeve të deritanishme të Shqipërisë dhe në forcimin e agjendës për reforma të mëtejshme.

“Për Shqipërinë, rruga për në BE kjo do të thotë ende shumë punë. Adea Pirdeni përcolli bindshëm se këtë po e bën qeveria shqiptare. Dhe shoqëria civile e Shqipërisë ka gjithashtu një rol të rëndësishëm për të luajtur” – shprehet ajo.

Schwarzer ndalet edhe tek Indeksi i Transformimit duke e cilësuar Shqipërinë si një vend me rezultate mbresëlënëse.

“Nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, rezultatet e Shqipërisë për transformimin politik janë rritur me 0.80 pikë në shkallën dhjetë pikësh të BTI. Shqipëria është një nga vetëm tetë (nga 137) vendet e BTI që ka bërë përparim të konsiderueshëm politik në dekadën e fundit. Veçanërisht bie në sy përmirësimi i shpejtë i cilësisë së #qeverisjes së vendit, i cili është rritur me 1.69 pikë në BTI gjatë dhjetë viteve të fundit, duke e vendosur Shqipërinë në tre fituesit kryesorë të qeverisjes në mbarë botën. Vendi është përmirësuar në të gjitha fushat e qeverisjes, por, me një rritje prej 2,0 pikësh, veçanërisht në fushën e efikasitetit të burimeve, duke përfshirë politikën antikorrupsion. Indeksi i Qeverisjes konfirmon se Shqipëria është një vend i mirëqeverisur, duke u renditur në vendin e 13-të në botë” – thuhet në reagim.

Çfarë është Bertelsmann Stiftung

Fondacioni Bertelsmann është një fondacion gjerman i themeluar në vitin 1977 që ka në fokus projekte mbi zhvillimin e demokracisë, edukimin, të ardhmen e Bashkimit Evropian, shëndetësinë, digjitalizimin dhe ekonomitë e qëndrueshme. Fondacioni përmes projekteve, studimeve, aktiviteteve të ndryshme, stimulon debat dhe shërben si shtysë për ndryshime pozitive në shoqëri. Të shërbyerit të së mirës publike dhe mundësia e krijimit të një impakti të qëndrueshëm janë në themel të aktivitetit të fondacionit.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com