Flamur Noka akuza ndaj SPAK: Institucion kundër opozitës!

Një pjesë e opozitës do të vijojë protestën para Bashkisë së Tiranës, me kërkesën për dorëheqjen e Kryebashkiakut Erion Veliaj.

Në një intervistë për RTSH-në, Flamur Noka tha se protesta është detyrim qytetar, për sa kohë sipas tij, sistemi i drejtësisë, aministon Veliajn për dosjen “5D” dhe inceneratorin e Tiranës.

“Skandalet e njëpasnjëshme duke filluar me inceneratorin e Tiranës që në fakt ka ngrënë 130 milion euro dhe nuk ekziston duke vazhduar me organizatën kriminale “5D“, kreu i së cilës është vetë Veliaj dhe zv kreu është Mazniku. Në çdo vend demokratik me një drejtësi që i shërben ligjit duhet të kishte të pandehur dhe nën hetim kryehajdutin e Tiranës ose duhet të kishin përfunduar hetimet të paktën për inceneratorin e Tiranës dhe duhet të kishte të arrestuar. Faktet dhe provat janë ulëritëse. Dumani dhe SKAP nuk e mendojnë as t’i arrestojnë as t’i quajnë grup kriminal ndërsa janë organizatë kriminale“, tha Noka.

Noka drejtoi akuza të forta në adresë të SPAK-ut, duke e konsideruar një institucion që godet opozitën për llogari të qeverisë.

“Ka një detyrë të përcaktuar, luftën kundër opozitës. Sali Berisha, simboli i antikorrupsionit në Shqipëri është sot i burgosur, pa prova e pa akuza. Çfarë duhet të besojnë qytetarët që në Shqipëri ka drejtësi apo që SKAP është një organizatë kriminale më e rrezikshme se ajo 5D që ka si synim luftën e opozitës”, shtoi ai.

Noka tha se përpjekjet e SPAK-ut për t‘i djegur mandatin Berishës do të dështojnë. Sipas tij, Berisha mungon në Kuvend, jashtë vullnetit të tij.

“Sali Berisha nuk mund t’i digjet mandate sepse nuk po mungon me vullnetin e tij. Ai ka dëshirë të jetë në Kuvend, por pengohet me vendim politik të SKAP-it të partisë“, tha ai.

Grupi parlamentar demokrat tha Noka do t‘i drejtohet serish Kryeparlamentares Lindita Nikolla për të regjistruar si pjesë të grupit Sali Berishën, përmes depozitimit të listës së deputetëve dalë nga zgjedhjet e fundit politikë. Nisma merret pasi Berishës ju mohua kjo e drejtë edhe pse ai kishte bërë vetëdeklarimin si deputet tha Noka për RTSH-në.

“E pranoi në fillim dhe pastaj u kujtua nën presioni e Edi Ramës se ka bërë gabim dhe tha jo nuk mund të jetë”, tha Noka.

Noka tha se aksioni opozitar do të vijojë si me protesta ashtu edhe në Kuvend, me synimin për të garantuar rrotacionin politik përmes zgjedhjeve të lira.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com