Flakët shkrumbojnë 10 hektarë pyje në Vaun e Dejës, zjarrfikësit s’kanë mjete për të ndërhyrë

Një zjarr masiv që ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit, ka përfshirë zonën malore të Shllakut në bashkinë Vau Dejës.

Dhjetëra efektiv të repartit zjarrfikës dhe banorët “luftuan” me flakët për më shumë se 6 orë, pasi të ndihmuara edhe nga era, ato u përhapen me shpejtësi duke krijuar alarm për zonën.

Terreni i thyer malor e bëri ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës tejet të vështirë, ku zjarrfikësit kanë përdorur pompat e shpinës dhe mjetet rrethanore.

Bashkia Vau Dejës nuk ka një mjet për të tilla terrene dhe sa herë ka raste zjarri, shuarja bëhet e vështirë në të tilla kushte kur edhe faktorët natyror nuk favorizojnë. Me shuarjen e zjarrit dhe shpëtimin e dhjetra banesave, drejtuesit e shërbimit zjarrfikës dhe grupi hetimor nisi punën për zbardhjen e shkaqeve të këtij zjarri që ka shkrumbuar plot 10 hektarë pyje.

Të dhënat e para flasin për zjarrvënie të qëllimshme dhe në një reagim për Vizion Plus, kryebashkiaku i Vau Dejës Kristian Shkreli i bën apel Policisë së Shtetit dhe prokurorisë të hetojë rastin, të bëjë të mundur identifikimin e autorit apo autorëve dhe ndëshkimin e tyre.

Zjarrvëniet janë një shqetësim që ripërsëriten çdo vit, ku në këtë periudhë dyshimet janë që zonat malore përdoren për hapje të terreneve të reja që më pas mund të përdoren edhe për kultivim të lëndëve narkotike.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com