Fjalimi për gjendjen e vendit, Biden kërkon një mandat të dytë, sulmon Trump në lidhje me Putin

Presidenti Joe Biden mbajti mbrëmjen e kaluar fjalimin mbi gjendjen e Kombit, duke e vënë theksin te puna e tij mbi çështjet ekonomike për klasën e mesme.

Ai kërkoi të bindte votuesit t’i jepnin atij një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti vuri në pah qëndrimet e tij për taksat, politikën e jashtme dhe të drejtat riprodhuese.

“Erdha në detyrë i vendosur për të kapërcyer një nga periudhat më të vështira në historinë e vendit tonë. Dhe ne e arritëm këtë. Nuk është lajm i ditës, por në mijëra qytete dhe qyteza populli amerikan po shënon rimëkëmbjen më të madhe në histori. Rikthimi i Amerikës është ndërtimi i një të ardhmeje të mundësive amerikane, ndërtimi i një ekonomie nga poshtë lart – jo nga lart poshtë, duke investuar në të gjithë Amerikën për t’u siguruar që të gjithë të kenë mundësi të barabarta dhe askush të mos ngelet mbrapa”, tha Biden.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë u bëri thirrje republikanëve që nuk mbështesin një projekt-ligj dypartiak të sigurisë së kufirit dhe kritikoi ish-presidentin Donald Trump, pa e përmendur emrin e tij, për “përkuljen” ndaj Presidentit rus Vladimir Putin.

“Tani paraardhësi im, një ish-President republikan, i thotë Putinit, po e citoj, ‘Bëj çfarë të duash’. Unë mendoj se kjo është e rrezikshme dhe e papranueshme. Mesazhi im për presidentin Putin, të cilin e njoh për një kohë të gjatë, është i thjeshtë. Ne nuk do të largohemi. Ne nuk do të përkulemi”, tha Biden.

Lidhur me situatën humanitare në Gazë, Presidenti Biden i bëri thirrje Izraelit që të mos e konsiderojë çështje dytësore dërgimin e ndihmave për civilët e bllokuar nga luftimet mes Hamasit dhe ushtrisë izraelite.

“Mbrojtja dhe shpëtimi i civilëve të pafajshëm duhet të jetë një përparësi. Ndërsa shikojmë nga e ardhmja, e vetmja zgjidhje reale për situatën është zgjidhja me dy shtete”, tha ai.

Përpara fjalimit të Bidenit, demonstruesit u mblodhën jashtë Shtëpisë së Bardhë për të bërë thirrje për një armëpushim në Gaza.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com