Fitoi lirinë me kusht, Beleri: Hapi i parë drejt drejtësisë! Do t’i drejtohem Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Pasi fitoi lirinë me kusht, Fredi Beleri ka deklaruar se do t’i drejtohet Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Vendimin e Gjykatës së Fierit, Beleri e konsideron si hapin e parë në rrugën e tij për të gjetur drejtësinë që pretendon.

“Pas 16 muajsh izolim, tani jam i lirë dhe krenar, por definitivisht jo i lumtur. Sepse nuk u rivendos shteti i së drejtës dhe demokracia në Shqipëri, nuk funksionuan institucionet, drejtësia nuk u dha ashtu siç duhej. Vendimi i sotëm është vetëm një pikë në oqeanin e drejtësisë që na pret. Lufta ime tani ka filluar.

Është e panevojshme të them se do t’i drejtohem Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për gjithçka që jam gjymtuar nga regjimi shqiptar”, shkruan Beleri.

Ai ndalet edhe te detyra si eurodeputet, teksa thotë se do të fokusohet në çështjet e minoritetit etnik grek dhe shtetin ligjor.

“Por tani, duke ushtruar detyrat e eurodeputetit grek, do të mund të fokusohem në çështjet e minoritetit etnik grek dhe të shtetit ligjor, pa frikë, por vetëm me pasion. Sot do të jem mes vëllezërve të mi në Himarë. Aty ku filloi aventura ime dhe më duket e drejtë të jetë.

Dua të falënderoj nga zemra kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, i cili me vendimin e tij të guximshëm për të më përfshirë në votën evropiane të ND ndryshoi rrjedhën e historisë sime. Dhe sigurisht miqtë e mi të ngushtë, Angelos Syrigos dhe Stavros Papastavrou për mbështetjen e tyre të palëkundur. Ajo ishte gjithmonë aty, nuk do ta harroj. Në fund, dua të falënderoj qytetarët grekë që gjatë gjithë kësaj kohe më kanë dhënë forcën të mos përkulem, të duroj dhe të vazhdoj të luftoj”, deklaron Beleri.

Gjykata e Fierit vendosi sot (2 shtator) lirimin e tij me kusht, kur i kishin mbetur edhe 6 javë dënim me burg për korrupsion në zgjedhje.

Fredi Beleri u arrestua më 12 maj 2023, dy ditë para zgjedhjeve, pasi u kap duke blerë vota. Ai u dënua nga gjykata me 2 vite për korrupsion zgjedhor, ndërsa mandati i fituar për kryetar Bashkie Himarë nuk iu dha duke mos lejuar betimin e tij pas dënimit nga drejtësia.

Gjatë kohës që ishte në burg, Beleri është zgjedhur edhe eurodeputet për Greqinë, i cili u lejua nga drejtësia shqiptare që të shkojë në Bruksel dhe të bënte betimin si eurodeputet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com